Koalicionit parazgjedhor i bashkohet edhe PDSh

Maqedonia

Koalicionit parazgjedhor i bashkohet edhe PDSh

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 20:53
Pamje nga takimi

Përveç koalicionit në qeveri, partitë në pushtet po bëhen bashkë edhe për zgjedhjet lokale. Javën që lam pas, kryeministri Zoran Zaev zyrtarizoi koalicionin parazgjedhor me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin.E gjatë ditës së sotme Zaev takoi edhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin. Pas takimit, kreu socialdemokrat në Facebook shkoi se janë marrë vesh që do të bashkëpunojnë edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, por pa treguar se në cilat komuna.

“Në disa Komuna bashkëpunimi do të realizohet edhe në rrethin e parë, ndërsa në disa komuna tjera do të jetë në rrethin e dytë. LSDM vazhdon të ndërtojë dhe zhvillojë koalicionin më të madh në zgjedhjet lokale të tetorit”, u shpreh Zaev.

Nga PDSH-së thonë se ky bashkëpunim ka për qëllim që të zgjedh kryetarët më të mirë për komunat që do të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi realizoi takim me kryeministrin Zoran Zaev ku u pajtuan për bashkëpunim të ndërsjellët për zgjedhjet lokale. PDSH dhe LSDM do të bashkëpunojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën me qëllim zgjedhjen e kryetarëve më të mirë të komunave që do të jenë në shërbim të qytetarëve”, thanë nga PDSh-ja.

Gjatë ditës së sotme Zaev pritet të takohet edhe kryetarin e Lëvizjes Besa, Billall Kasami. Nga partia e Kasamit tashmë kanë deklaruar se nuk janë pjesë e koalicionit që Zaev po lidh me partitë e tjera shqiptare dhe se vetë do të dalin në zgjedhjet lokale. Përveç zgjedhjeve, pritet që temë diskutimi të kenë edhe vendosjen e grafës etnike në letërnjoftime, që është premtim parazgjedhor i Besës, por tani, pas kritikave nga ambasadori i BE-së në Shkup, por edhe për shkak të bllokimit në Kuvend, miratimi i këtij ndryshimi po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Besa vazhdon të pohojë se nuk heq dorë, ndërsa Kryeministri dje tha se nuk e ka problem, por se duket e pamundur që të arrihet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat