Manifestohet 80 vjetori i shkollës së parë shqipe në Kërçovë

Maqedonia

Manifestohet 80 vjetori i shkollës së parë shqipe në Kërçovë

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

Manifestim kushtuar 80 vjetorit të shkollës së parë shqipe, u promovua libri monografik “Arsimi dhe shkolla e parë shqipe në fshatin Sërbicë”.

Në fshatin Sërbicë të Kërçovës, mbrëmë u mbajtë manifestimi “Thesari që na bashkon” ku me rastin e 80 vjetorit të shkollës së parë shqipe, u pronovua vepra monografike e autorit Nexhat Mehmedi “Arsimi dhe shkolla e parë shqipe në fshatin Sërbicë” 1941-2021.

Manifestimi “Thesari që na bashkon” që u mbajtë mbrëmë në fshatin Sërbicë të Kërçovës, sivjet i kushtohet 80 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Kërçovë dhe më gjërë. Në këtë vit jubilar të organizimit, u promovua edhe vepra monografike e autorit Nexhat Mehmedi “Arsimi dhe shkolla e parë shqipe në fshatin Sërbicë”, një libër voluminoz që shpalos përpjekjet dhe sakrificat e misionarëve të arsimit për hapjen e shkollës “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” më vitin 1941 dhe kontributin e mësuesve që e vazhduan misionin e shenjtë të pishtarëve të arsimit për edukimin e gjeneratave të reja deri në ditët e sotme. Për këto ngjarje dhe zhvillime folën profesor Nazif Selimi dhe autori i librit Nexhat Mehmedi.

Manifestimi “Thesai që na bashkon” dhe promovimi i këtij libri monografik është mbështetur nga komuna e Kërçovës dhe kryetari i saj Fatmir Dehari, i cili i shprehu mirënjohje autorit të librit Mr. Nexhat Mehmedi dhe të gjithë atyre që u angazhuan dhe sakrifikuan për hapjen e shkollës së parë shqipe dhe zhvillimin e procesit mësimor deri në ditën e sotme.

Me rastin e 80 vjetorit të themelimit, në ambientet e kësaj shkolle do të hapet edhe këndi i librit me emrin e mësuesit të këtij fshati Selim Adili dhe këndi i pikturës që do të mbajë emrin e piktorit të madh me origjinë nga Kërçova Omer Kaleshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat