Zjarret pyjore në Maqedoni shkaktuan dëme prej 31.1 milionë eurove

Maqedonia

Zjarret pyjore në Maqedoni shkaktuan dëme prej 31.1 milionë eurove

Më: 5 shtator 2021 Në ora: 20:32
Foto ilustrim

Zjarret pyjore shkaktuan dëme prej 31.1 milionë euro,njoftojnë nga Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare”. Përveç shkatërrimit të disa prej zonave më të bukura pyjore në vend dhe shkaktimit të dëmit mbi 31 milionë euro, zjarret që përfshinë vendin këtë vit shkaktuan një katastrofë të fondit pyjor dhe pyllëzimi i zonave të shkatërruara do të zgjasë të paktën dy vjet.

Deri në fund të 15 gushtit të këtij viti, është djegur sipërfaqe prej 9.907 hektarë në rreth 150 zjarre, gjatë të cilave është konstatuar se është djegur madje 448.087 metra kub masë druri.

“Pyje njëqindvjeçare u dogjën në zjarret në Maleshevi, në pjesët e larta të lokalitetit të quajtur Bajaz-Tepe, i cili ndodhet në segmentin midis Dellçevës dhe Pehçevës. Zjarri i fortë kaploi një front të madh dhe shkatërroi sipërfaqe të madhe. Është katastrofë e përmasave të mëdha dhe kjo ka shkaktuar jo vetëm dëme materiale, janë djegë koshere të bletëve dhe objekte të shumta, por dëmi ka edhe pasoja mjedisore dhe biologjike”, thonë nga NP “Pyjet Kombëtare”.

Ata shtojnë se në zjarret e mëdha, më së shumti janë djegur pyje me pisha dhe pjesë më të vogla me ah dhe lis. Zjarret u përqendruan kryesisht në Maleshevi, kurse zjarri përfshiu një nga zonat më të bukura malore midis Trabotivishtes dhe Istevniku i Vjetër në veri e deri në Maçevë dhe Pehçevë në jug, që është rreth 18 kilometra larg.

Përndryshe, në vitet kur nuk ka zjarre të mëdha pyjore, sipas të dhënave në dispozicion për Maqedoninë Veriore, pyjet kanë ndikim pozitiv nëpërmjet thithjes së dyoksidit të karbonit që lirohet në atmosferë. Në të kundërt, në vitet si ky sivjet, kur shkatërrohen zona të mëdha nën pyje, drunjtë e djegur janë burim i ndotjes së ajrit dhe lirimit të sasive të mëdha të dyoksidit të karbonit, i cili nga ana tjetër është shkaku kryesor i rritjes së temperaturave mesatare të ajrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat