Maqedoni: Harxhojmë më shumë për ilaçe se për ushqim

Maqedonia

Maqedoni: Harxhojmë më shumë për ilaçe se për ushqim

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 22:38
Foto ilustrim

Gjatë pandemisë së virusit korona janë shtrenjtuar barnat dhe shërbimet mjekësore në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq sipas Entit të Statistikës shënohet rritje të gati gjithë prodhimeve dhe shërbimeve lidhur me shëndetin e njerëzve në vend. Të dhënat për muajin shkurt të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, para fillimit të pandemisë tregojnë se prodhimet farmaceutike janë shtrenjtuar për 3.3 për qind, ndërsa shërbimet mjekësore për 4.2 për qind. Ndryshim të çmimit nuk ka te shërbimet spitalore.

Ndërsa nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të cilët përllogarisin shportën sindikale, thonë se shpenzimet vetëm për vitaminë për të infektuarit për Kovid-19 kushtojnë rreth 100 euro. Edhe shpenzimet e jetesës shënojnë rritje. Për një vit, ushqimi është shtrenjtuar për 2 për qind, ndërsa kjo vërehet te buka, pemët, perimet dhe më së shumti te vajrat që janë shtrenjtuar për 14 për qind.

Ndërkaq qarkullimi në tregtinë me pakicë sipas grupeve prodhuese të para dy viteve ka arritur 327.678.671.000 denarë. Në suaza të repartit “Tregti me pakicë”, përveç automjeteve motorike dhe motoçikletave, në të cilin janë realizuar 94.5 për qind e qarkullimit në tregtinë e tërësishme me pakicë, pjesëmarrje më të madhe prej 17.5 për qind ka qarkullimi i shitjes së karburanteve. Pastaj vijojnë qarkullimi i shitjes së produkteve farmaceutike (ilaçe: prodhime farmaceutike dhe preparate – vitamina, antibiotikë, vaksina etj – vetëm për përdorim njerëzor), me 5.8 për qind, prodhime tjera ushqimore, prodhime të qumështit me 3.9 për qind, aparate elektrike për amvisëritë me 3.7 për qind dhe produkte konditore me 3.6 për qind. Ndryshe, për një familje katër anëtarëshe, sipas përllogaritjeve, u nevojiten të paktën 33.700 denarë për t’ia dalë në fund të muajit edhe atë nën përkushtimin e kursimit maksimal .

Farmacisti Meriton Dovolani punonjës në barnatore përmend se shumica ilaçeve nuk kanë pasur ndryshim por sipas tij ndryshim kanë pasur suplementet. “Përveç se ka një gamë të gjerë barnash të cilat eksluzivisht shiten me rekomandim të mjekut, gjegjësisht shiten vetëm duke poseduar pacienti recetë mjekësore, preparate të cilat mund të them për fat të mirë nuk kanë pësuar fare ndryshim sepse kjo lloj kategorie e barnave në vete mbërthen edhe barnat ekzistencial që padyshim ndihmojnë kualitetin e jetës së pacientit, ka edhe grup barnash te cilat klasifikohen si OTC preparate, gjegjësisht preparate te cilat mund te blihen edhe pa rekomandim të mjekut por me konsultë të farmacistit dhe si e tillë kjo lloj kategorie e barnave ka pësuar një ndryshim të vogël të çmimit gjegjësisht ka pasur një rritje të re lehtë.

Nëse flasim për arsyen e rritjes së çmimit të kësaj kategorie ndoshta unë si farmacist në barnatore mund të gabohem, arsye mund të jetë rritja e ndonjë çmimi të importit të substancave aktive apo komponentëve të tjera që përdoren në prodhimin e produktit final gjegjësisht barit, rritje e çmimit të substancave të cilat përdoren në pjesën e kontrollit të kualitetit të barit e kështu me radhë”, deklaron Dovolani.

Sa i përket shtrenjtimit të medikamenteve në barnatoret private, edhe pse më të gjitha janë privatizuar thuhet se çmimet e barnave në mënyrë rapide janë më të shtrenjtë por edhe konsumi apo furnizimi nga firmat apo fabrikat farmaceutike kanë ndikim në këtë rast, pasi që gjatë kësaj periudhe të pandemisë çmimet e medikamenteve janë rritur, ndërsa qytetarët thonë se nuk është etike që në kohë të krizës shëndetësore të përfitohet ekonomikisht nga ilaçet që janë formë e vetme farmaceutike dhe mjekësore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat