Milloshoski: Për shkak të tenderëve Zaev dëshiron ta mbajë Filipçen

Maqedonia

Milloshoski: Për shkak të tenderëve Zaev dëshiron ta mbajë Filipçen

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 22:35
Milloshoski

Kuvendi ende nuk e ka marrë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe të zëvendësit të tij Ilir Hasani, të cilat OBRM-PDUKM-ja kërkoi që kryeministri Zaev t’i dorëzojë në Parlament. Këtë e deklaroi deputeti i opozitares OBRM-PDUKM, Antonio Milloshoski. Ai mes të tjerësh tha se Zaevi mundohet ta zvarrisë punën dhe akuzon se arsyeja se përse ende nuk e pranon dorëheqjen janë tenderët në shëndetësi.

“Për shembull para një viti e gjysmë dorëheqje dha zëvendësministri i atëhershëm i Arsimit, Petar Atanasov, dorëheqje kjo e cila ishte shumë e shpejtë. Për një-dy ditë e njëjta ishte proceduar në Kuvend dhe ishte konstatuar. Tani dorëheqje dha edhe Venko Filipçe, por shohim se edhe pas 10 ditëve nga parashtrimi i dorëheqjes, ajo ende nuk është dërguar në Kuvend. Vlerësojmë se Ministria e Shëndetësisë, si institucion i cili disponon me fond të madh dhe shumë tenderë, është arsyeja për shkak të së cilës Zaevi mundohet ta mbajë Venko Filipçen në postin nga i cili ai vetë dha dorëheqje”, tha Milloshoski.

Edhe pse në opinionin publik kishte dyshime nëse janë dorëzuar dorëheqjet e ministrit Filipçe dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani, zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski dje konfirmoi se dorëheqjet janë deponuar.

“Dorëheqjet e ministrit dhe zëvendësi ministrit të shëndetësisë i janë dorëzuar kryeministrit dhe janë arkivuar. Përmbajtja e dorëheqjeve nuk dallon nga ajo që ata të dytë e thanë”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski.

Milloshoski, për deklaratën e Zaevit se për dorëheqjet do të prononcohet pas mbarimit të hetimit, tha se është vetëm përpjekje për manipulim.

“Dorëheqja e ministrit Filipçe është përgjegjësi objektive që duhet të konstatohet për shkak se ka ndodhur një katastrofë e madhe shëndetësore dhe njerëzore në resorin e tij. Për përgjegjësinë subjektive, nëse ai ka përgjegjësi penale në lidhje me ndërtimin e spitaleve modulare, ose dikush tjetër është përgjegjës për këtë gjë, do të tregojë hetimi. Andaj, mendoj se dorëheqjet nuk duhet të lidhen me hetimin”, shtoi Milloshoski.

Kaluan 8 ditë nga zjarri tragjik në të cilin jetën e humbën 14 persona, megjithatë deri më tani ende nuk janë konstatuar dorëheqjet e deponuara të ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani dhe të dy drejtorëve të spitalit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat