Zaev: Përgjegjësia për zjarrin në spitalin e Tetovës, pas hetimeve

Maqedonia

Zaev: Përgjegjësia për zjarrin në spitalin e Tetovës, pas hetimeve

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 16:23
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha të hënën (20 shtator) se është në pritje të rezultateve të hetimeve për zjarrin në spitalin COVID-19 në Tetovë, që më pas të vendos për përgjegjësinë e drejtuesve të institucioneve.

Raporti nga ekspertët gjermanë për shpërthimin e zjarrin që la 14 të vdekur , sipas informacionit nga Ministria e Brendshme, do të dorëzohet brenda 10 deri në 15 ditë, ndërkohë që po po hartohet edhe raporti i hetuesve vendor lidhur me rastin.

“Qytetarët po kërkojnë një përgjigje, por ne nuk do të donim të nxitonim. Po pres përgjigjet për të dhënë mendimin tim për katër dorëheqjet. Por, më e rëndësishme është që qytetarët të dinë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, cilat janë arsyet ose të ngjashme”, tha Zaev.

I pyetur pse priten raportet, kur ofrohen dorëheqjet dhe qytetarët kërkojnë përgjegjësi, kryeministri Zaev tha se e kupton zemërimin dhe dhimbjen që është e madhe për të gjithë, por, sipas tij, “nuk mundet që për shkak të një dhimbje të dorëhiqen ministrat, qeveria, parlamenti e madje i gjithë kombi”

“Ne duhet të kujdesemi së pari, për thelbin dhe arsyet e asaj që ndodhi. Së dyti, duhet të dini se çfarë do të ndodh më pas. A do ta trajnonit dikë edhe për gjashtë muaj të tjerë që të menaxhojë koronën, spitalin në Tetovë? Ju duhet të jepni përgjigjet e duhura. Sikur tu kthenim jetën këtyre 14 njerëzve, jo vetëm që të gjithë do të jepnim dorëheqjen, por edhe do të largoheshim nga politika, por kjo është e pamundur”, ka deklaruar Zaev duke theksuar se çështjet e ngritur në opinion lidhur me këtë rast janë “banalizuar”.

Lidhur me zjarrin në spitalin COVID-19 në Tetovë dorëheqje kanë ofruar Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, zëvendësministri, Ilir Hasani si dhe drejtuesit e spitalit të Tetovës, por ato ende nuk janë pranuar nga kryeministri, pavarësisht reagimeve të shumta në opinion.

Tragjedia në spitalin e Tetovës ka nxitur reagime e protesta në këtë qytet, ndërsa në atë të ditës së premte pati edhe përplasje me policinë pasi protestuesit ishin nisur drejt selisë së partisë Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që është në pushtet, për të shprehur pakënaqësinë lidhur me këtë rast.

Më 8 shtator, 14 persona humbën jetën pasi në spitalin modular të Tetovës, ku po trajtoheshin personat e prekur nga COVID-19, shpërtheu një zjarr, që besohet se është shkaktuar nga shpërthimi i bombolave të gazit apo të oksigjenit. Po ashtu, 12 persona janë plagosur./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat