Tani edhe me tren deri në Tiranë

Maqedonia

Tani edhe me tren deri në Tiranë

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 15:17
Foto ilustrim

Hekurudha në drejtim të Bullgarisë pas ndërprerjes së fundit dhe problemeve me realizuesin e fundit të punimeve, pritet të fillojë sërish me punimet në pranverën e muajit të ardhshëm, pas fillimit të procedurave të nevojshme për përfundimin e dokumentacionit të tenderit që do të zgjedh kompaninë ndërtuese nga tetë kompani që janë paraqitur. “Deri në fund të këtij viti do të zgjidhet kompania që do të realizojë punimet, ku afati për realizimin e dy pjesëve të para është tre vite. Njëherësh ky shembull do të ndryshojë edhe mendimin se shteti jonë ndërlidhet me ndërtimin jo efektiv të projekteve infrastrukturore”, thotë drejtori i ndërmarrjes publike të Hekurudhës, infrastruktura Hari Lokvenec.

Ai shton më tej se në vitin 2027 mund të presim që të vendoset në funksion kjo hekurudhë për transportin e udhëtarëve dhe mallrave. Në ndërkohë, një projekt i tillë po premtohet në më shumë cikle zgjedhore nga partitë politike për afër 30 vite, apo që nga viti 1993.

Ndërtimi i hekurudhës ndërmjet Shkupit dhe Sofjes është pjesë e korridorit tetë të hekurudhave, dhe ndahet në tre pjesë Kumanovë-Beljakovce, Beljakovçe-Kriva Pallankë dhe Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë. Bëhet fjalë për një projekt të madh me vlerë prej 600 milionë euro ku vetëm në pjesën e dytë dhe të tretë të tij duhet të ndërtohen 91 ura dhe 32 tunele. Nga pala bullgare po realizohet projekt për ndihmën teknike për përgatitjen e projektit të hekurudhës Sofje- Pernik-Radomir-Gjushevo-kufiri me Maqedoninë e Veriut. Pritet që të rritet edhe shpejtësia nga 70 deri 100 kilometra në orë në 130 deri 160 kilometra në orë.

Në ndërkohë, pritet edhe intensifikimi i aktiviteteve për ndërtimin e hekurudhës prej Kërçove deri në kufirin me Shqipërinë apo deri më Lin. Pas takimit në Sojie të udhëheqësve të hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë para dy muajsh, u paralajmërua se deri në vitin 2027 do të mund të udhëtojmë me tren ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, ndërsa ë vitin 2030 nga Shkupi do të mund të udhëtojmë me tren në det në Shqipëri pas përfundimit të tërësi të korridorit transportues hekurudhor në korridorin tetë.

Përgjatë muajit shtator pritet në Tiranë sërish të takohen homologët e hekurudhave për të avancuar më tej bashkëpunimin në fushën e transportit me tren si dhe të shpalosin edhe specifikacionet teknike të këtij korridori të gjatë 500 kilometra. Deri tani janë ndërtuar 150 km të lidhjes së hekurudhave midis tre shteteve ku Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po sigurojnë hua për projektin, ndërsa Bullgaria si vend anëtar i BE-së mund të llogarisë në fondet evropiane.

Shqipëria pritet të zgjidhë problemin me ndërtimin e hekurudhës përreth liqenit të Ohrit, për shkak të kundërshtimeve të Uneskos për shkak se ky liqen gjendet nën mbrojtjen e saj. Në ndërkohë hekurudha prej Kërçove deri në Lin është në fazën e përmbylljes së konstruktit financiar me vlerë prej disa qindra milion euro dhe sigurimit të të gjithë dokumentacionit teknik. Dokumentet finale që ndërlidhen edhe me konstruksionin financiar pritet të ofrojnë edhe vlerësimin e fundit për koston e këtij projekti. Projekti themelor parashikon hekurudhë të gjatë 63 kilometra të elektrifikuar.

Vlerësohet se ajo do të shpaguhet për një periudhë afatmesme deri afatgjatë duke marrë parasysh transportin me tren në raport me afërsinë e portit të Durrësit si dhe potencialin turistik të liqenit të Ohrit si dhe mundësinë e vendosjes së trenave të ri të udhëtarëve në më shumë destinacione.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat