Ecolog International i Lazim Destanit, dhuron 10 ambulanca për spitalet në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Ecolog International i Lazim Destanit, dhuron 10 ambulanca për spitalet në Maqedoninë e Veriut

Nga: Beqir Sina Më: 25 shtator 2021 Në ora: 17:34
Donacioni

Kompania Ecolog International dhe bossi i saj Lazim Destani vazhdon të mos ndalet duke suportuar popullatën në Maqedoninë e Veriut, si dhe të jetë donatori më i madh në formë ndihme dhe për trojet shqiptare, qëkur ka nisur pandemia COVID-19.

Kësaj radhe mediat shqiptare nga Maqedonia, raportuan se  Ecolog International dhuroi për spitalet e Maqedonisë së Veriut dhjetë autoambulanca të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore, si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani në periudhën e pandemisë, kur nevojat e qytetarëve për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

Filantropi Lazim Destani, si iniciator i këtij donacioni dhe njëherësh Kryetar i Bordit Këshillues, tha se, “ishte i lumtur, që këtë donacion po e realizonin në këtë periudhë kohore, kur kërkesa për të reaguar shpejt është shumë domethënëse, sidomos tani, kur akoma ndodhemi në luftë me virusin Covid-19”.

Image

“Shpresoj që me këto dhjetë autoambulanca t’u vijmë në ndihmë spitaleve në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme, ndihma e shpejtë shpëton jetë njerëzish”, theksoi Destani.

Ndërsa në faqen e tij zyrtare në Facebook, Destani shkruan: Më vjen mirë që përmes biznesit tonë familjar po e bëjmë donacionin e radhës. Pandemia vazhdon të kërcënojë e të marrë jetë, andaj është sfera e shëndetësisë ajo që kërkon vëmendje. Për ta sjellë ndihmën mjekësore sa më shpejt te ata që e kanë këtë nevojë, apo për transportimin e pacientëve drejt qendrave më të specializuara, kësaj radhe zgjodhëm të dhurojmë autoambulanca të kompletuara me pajisjet spitalore të teknologjisë më të re, përfshirë edhe ato për Covid-19. Shpresoj ky donacion të jetë një ndihmë për spitalet e Maqedonisë së Veriut në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme. Uroj gjithashtu sa më i vogël të jetë numri i atyre që do kenë nevojë për këtë ndihmë”.

Në ceremoninë e dorëzimit të autoambulancave, organizuar në hapësirat e kompanisë Ecolog në Tetovë, për pranimin e donacionit prezent ishin, Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski dhe drejtuesit e Shtëpive të Shëndetit nga Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Kumanova, Shtipi, Velesi dhe Manastiri. Spitalet përfituese nga ky donacion u përcaktuan sipas konsultave paraprake me autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Image

Përfaqësuesi i kompanisë Ecolog, Seid Jusufi, në fjalën e tij para mediave tha se, “aktivitetet nga sfera e përgjegjësisë shoqërore për dekada me radhë kanë qenë pjesë e pandashme e kompanisë Ecolog. Ato përfshijnë fusha të ndryshme, si shkenca, arsimi, arti, kultura, deri te solidarizimi me familjet sociale apo të prekurit nga fatkeqësi të ndryshme natyrore. Në këtë periudhë dy-vjeçare, është shëndetësia ajo që ka marrë më shumë vëmendje. Së këndejmi, nga Kryetari i Bordit Këshillues, Z.Lazim Destani, erdhi dhe iniciativa për dhurimin e këtyre dhjetë autoambulancave. Besojmë se, ky donacion do të jetë një kontribut për fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ndihmë për punonjësit e shëndetësisë në betejën e tyre kundër Covid-19. Autoambulancat janë të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore për t’u vënë në funksion që nga dita e sotme”.

Ndërsa Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski, e falënderoi kompaninë Ecolog për dhurimin e 10 autoambulancave, që do të shpërndahen, dy në Tetovë,dhe nga një për spitalet në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Manastir, Veles dhe Shtip. “Donacioni juaj do të jetë me përfitim të madh për Institucionet Shëndetësore dhe personelin mjekësor dhe më e rëndësishmja, do të ndihmojë drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve njerëzore. Faleminderit paraprakisht për çdo ndërhyrje në kohë dhe çdo jetë të shpëtuar! Kompania Ecolog është një shembull se si një organizatë duhet dhe mund të punojë për të mirën e të gjithëve, për të qenë me përgjegjësi shoqërore”, theksoi Stojanovski.

Image

Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi e falenderoi kompaninë Ecolog International dhe në veçanti Z.Destani për këtë ndihmë, të cilën ai e cilësoi me peshë të madhe, që vjen në një moment kur më së shumti ka nevojë. “Falënderimet ndaj familjes Destani, janë më e pakta që mund të bëjmë për të shprehur mirënjohjen e thellë jo vetëm për donacionin e sotëm, por për mbështetjen e vazhdueshme në sfera të ndryshme që kjo familje i jep shoqërisë”.

Ndërsa Drejtoresha e Spitali të Shtipit, Snezana Trajkovska falenderoi publikishte, “në emër dhe të të punësuarve në Shtëpinë e Shëndetit si dhe qytetarëve, deri tek Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, kompaninë Ecolog dhe posaçërisht deri tek Filantropi Lazim Destani, për këtë aktivitet humanitar dhe donacion që e marrim ne dhe që vjen në kohë të duhur ngaqë jemi në kohë pandemie kur kërkesat dhe telefonatat nga pacientët tanë janë të rritura, ne si personel mjekësor posaçërisht si ndihmë e shpejtë mjekësore do të jemi të qasshëm në çdo kohë për të ofruar ndihmë”.

Ecolog International është pronë dhe drejtohet nga Familja Destani nga Tetova e Maqedonisë së Veriut. përveç filantropisë dhe ndihmave të vazhdueshme edhe më herët, për vitë të tëra, vetëm që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Ecolog International, ka qenë lokomotiva e ndihmave për trojet shqiptare dhe Maqedoninë e Veriut.

Qindra mijëra familje në Maqedoni u janë shpërndarë në dy vite rresht, kupona me vlerë financiare, me të cilët, ato mund të blinin gjerat më të domosdoshme, të higjienës për familjet e tyre, si dhe ushqime.

Mijëra tableta u dhuruan për nxënësit që vinin nga familje në nevojë, në vitin 2020 nga Ecolog International dhe filantropi Lazim Destani në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Shqipëri.

Gjithashtu, nga Ecolog dhe filantropi Destani, u dhuruan dhe mijëra teste Covid për Shqipërinë, Kosoven, Maqedoninë dhe shqiptarët e Preshevës.

Për të mos folur më pas për tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, kur karvani i kamionëte kamionët me ndihma nga Ecolog ishin në Durrës që mëngjesin e datës 27, apo dhe filantropitë e ndihmat lokale, si rasti i përmbytjeve në fshtrat e Maqedonisë, ku dhjetra familjen humbën shtëpitë e bazën materiale nga rrëshqitja e dheut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat