RMV, çfarë ndodh në qoftë se marrim vaksinën kundër koronës dhe gripit njëkohësisht? Flasin ekspertët

Maqedonia

RMV, çfarë ndodh në qoftë se marrim vaksinën kundër koronës dhe gripit njëkohësisht? Flasin ekspertët

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 17:12
Ilustrim

Përveç procesit të imunizimit nga virusi korona, muajt në vazhdim pritet që njëkohësisht të fillojë imunizimi apo vaksinimi i popullatës së Maqedonisë së Veriut kundër gripit sezonal. Por, a shkakton problem në qoftë se merren të dy vaksinat, të cilat janë të ndryshme, njëkohësisht? Për këtë, folëm me mjekun Pajtim Asani si dhe përcjellim hulumtimet më të fundit të Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në ShBA si dhe OBSh-së. Një gjë është e sigurt, të dy vaksinat janë të sigurta dhe të dyja kanë potencial të shpëtojnë jetë.

Sipas Asanit, vaksinimi i popullatës më të rrezikuar nga gripi sezonal preferohet që të realizohet nga muaji shtator dhe të përfundojë diku nga fundi i muajit tetor, ai shtoi se vaksinimi kundër Kovid-19 dhe ai kundër gripit pa problem mund të realizohen njëkohësisht.

“Vaksinimi kundër gripit preferohet te kryhet gjate muajit shtator deri ne fund te muajit tetor. Te dy vaksinimet kundër gripit dhe Kovid-19 mund te bëhen njëkohësisht” tha Pajtim Asani, mjek.

Megjithatë, ka raste kur vaksinimi kundër gripit duhet prolonguar ndërkaq detajet i shpjegon vetë mjeku Pajtim Asani, që sipas tij, nuk ka të dhëna se administrimi i dy vaksinave të ndryshme njëkohësisht mund të shkaktojë dëm potencial në organizëm, përkundrazi, ai inkurajon vaksinimin.

“Vaksinimi kundër gripit duhet prolonguar te personat te dyshuar ose te konfirmuar me Kovid-19 deri sa te plotësohet kriteriumi për ndërprerje te izolimit. Edhe pse sëmundja e lehtë prej COVID-19 nuk duhet te jete arsye për ta prolonguar vaksinimin kundrejt gripit prapë një gjë e tille preferohet qe te mos eksponohet personeli mjekësor dhe pacientët e tjerë. Nuk ka te dhëna se administrimi i 2 vaksinave mund të dëmtoje organizmin” shtoi mjeku Pajtim Asani.

Ekspertët: Shumë e rëndësishme të merren të dy vaksinat!

Me afrimin e kohës së gripit sezonal përderisa shteti akoma po lufton me virusin korona, ekspertët botërorë inkurajojnë vaksinimin kundër gripit sezonal si dhe kundër virusit korona, duke potencuar se kjo nuk do të përbente problem shtesë, përkundrazi.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, të merret edhe vaksina e gripit edhe e virusit korona, tha William Schaggner, drejtori mjekësor i Fondacionit Nacional për Sëmundje Ngjitëse. “Të dyja janë viruse shumë të këqija respiratore dhe mund ti bëjnë njerëzit shumë të sëmurë, shumë.” shtoi ai.

Marrja e vetëm njërës prej vaksinave, nuk ju mbron nga tjetri virus ndërkaq të dyja janë të rrezikshme

Vaksinat kundër Kovid-19 dhe kundër gripit sezonal “trajnojnë sistemin tuaj imunitar të ju mbrojë kundër dy viruseve krejtësisht të ndryshme,” marrja e njërës vaksinë vetëm nuk do të ju ofrojë asnjë ndihmë kundër virusit tjetër, tha Kelly Moore, kryetarja e IAC në ShBA.

“Është njëjtë sikur të mbrohemi nga bleta dhe mickonja, të dyja mund të ju pickojnë,” tha Shcafner “Duhet të mbroni veten nga dy viruset mënyrë të veçantë”.

Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në ShBA rekomandon të gjithëve të vaksinohen kundër gripit sezonal deri në fund të muajit tetor. Këtë vit, për shkak të vaksinimit kundër virusit korona kjo periudhë ka gjasa edhe të zgjatet.

A mund të marim vaksinën kundër Kovid-19 dhe atë të gripit në të njëjtën periudhë?

Po. Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve ka dhënë dritën jeshile për marrjen e vaksinës kundër Kovid-19 dhe vaksinat tjera njëkohësisht – kjo ka pësuar ndryshim meqenëse më herët rekomandohej që të pritet 14 ditë për marrjen e vaksinës së ndryshme.

“Tash që kemi shumë eksperiencë me vaksinat kundër Kovid-19, që nuk kishim më herët, ne jemi shumë rehat të themi që këta vaksina mund të merren njëkohësisht me tjerat” tha Moore.

Sipas CDC-së, rregullorja paraprake u krijua në një periudhë të hershme të zhvillimit të vaksinave, dhe atëherë nuk kishte shumë përvojë në këtë drejtim.

Në qoftë se i marr dy vaksinat njëkohësisht, a do të jenë efektet anësore më të rënda?

Sipas CDC-së, praktika ka treguar se efektet anësorë të vaksinave “janë në përgjithësi të njëjta, pa marrë parasysh a merret vetëm një apo dy të ndryshme.” Sipas kësaj, marrja e vaksinës kundër Kovid-19 njëkohësisht me atë të gripit sezonal nuk pritet të ketë efekte anësore të panjohura apo më të rënda.

“Edhe në qoftë se vaksinat janë të krijuara me praktika të ndryshme, nuk do të përbëje problem kjo”, tha Kelen. “Nuk do të ndjeni asgjë ndryshe.”

Edhe vaksina kundër Kovid-19 edhe ajo kundër gripit sezona zakonisht jepen në krah, mund të shkaktojnë dhimbje në vendin e injektimit. Në qoftë se, për shembull, ju merrni nga një vaksinë në të dy krahët, do të ju dhëmbin të dy krahët, tha Schaffner.

Cilat janë efektet anësore të pritshme?

Është gjithashtu e mundshme që të keni efektet anësore të vaksinave që janë të zakonshme, si ethe, kokëdhimbje, dhimbje të trupit apo simptome të ngjashme me ato të gripit, në qoftë se i merrni të dy vaksinat njëkohësisht, Moore tha. “Por sipas përvojës tonë, dhënia e disa vaksinave njëkohësisht, nuk është problem,” tha ajo. “Nuk është se ju do të keni reaksion të dyfishtë vetëm sepse i keni marrë dy vaksina dhe j një.”

Edhe pse dhënia e vaksinës kundër Kovid-19 dhe asaj të gripit sezonal nuk është studiuar plotësisht, ekspertët e CDC-së thanë se praktika e vaksinimit kundrejt dy sëmundjeve të ndryshme njëkohësisht nuk është diçka e re. Fëmijët, specifikisht foshnjat, shpesh herë marrin disa vaksina njëkohësisht.

Edhe pse efektet anësore të vaksinës kundër virusit korona dhe të gripit sezonal mund të mos jenë shumë të rehatshme, “ata nuk janë të rrezikshme apo të pasigurta, në asnjë mënyrë,” tha Moore. “Ja vlen që të mbrohemi nga gjithçka që mund të mbrohemi.”

Çfarë në qoftë se i marr të dy vaksinat njëkohësisht, në të njëjtën ditë?

Në qoftë se i merrni të dy vaksinat njëkohësisht, udhëzuesi i CDC-së thotë se injektimi duhet të ndahet për më së paku një centimetër apo të administrohet në një gjymtyrë të ndryshme nëse është e mundur kjo.

Përderisa nuk sugjerohet marrja e medikamenteve para terminit në mënyrë që të shmangen efektet anësore sepse kjo mund të ndikojë të sistemi imunitar, Schaggner tha se është e mundur që ju të mos ndjeheni mirë.

“Në qoftë se të nesërmen ju shkoni në një ndeshje futbolli apo diçka të tillë, ndoshta sot nuk do të ishte dita më e mirë që u të merrni të dy vaksinat njëkohësisht,” tha ai.

Është kritike, thanë ekspertët, që të merren rreziqet e gripit sezonal seriozisht dhe të mbrohemi nga të dy viruset. “Gripi të mbyt gjithashtu,” tha Kelen. “Nuk është diçka e thjeshtë për shumë njerëz.. mund të marr jetë, përfshirë edhe fëmijëve.” Këtë vit vaksina kundër gripit ofron mbrojtje kundër katër varianteve të viruseve që qarkullojnë. Mbrojtja nga gripi sezonal thuhet se zgjat më së paku gjashtë muaj.

Vaksinat kundër gripit sidomos janë të rëndësishme për personat mbi 65 vjeç, të cilët mund të jenë më të rrezikuar nga gripi, sipas CDC-së.

Ndërkaq, marrja e vaksinës kundër gripit sezonale është shumë e rëndësishme këtë vit, tha Moore, sepse spitalet dhe klinikat në pjesën më të madhe të vendit janë të mbushura me pacientë të infektuar nga virusi korona për shkak të variantit delta. “Edhe në qoftë se ju jeni një person që jo zakonisht merrni vaksinën kundër gripit sezonal, këtë vit merreni vaksinën,” tha ajo. “Askush nuk duhet të jetë në spital për diçka që mund ta parandalojë.”

Kush janë më të rrezikuar nga gripi sezonal?

Personat në moshë mbi 65 vjet dhe personat me probleme shëndetësore janë më të rrezikuar

Gripi tek personat e infektuar shkakton një gjendje të pakëndshme që zgjat për disa ditë, por zakonisht njerëzit e marrin veten shumë shpejt. Megjithatë, për personat që kanë një spektër më të gjerë të problemeve shëndetësore, gripi mund të jetë një sëmundje serioze, e madje edhe fatale.

Ata që janë më të rrezikuar nga ndërlikimet më të rënda të shkaktuara nga gripi janë personat mbi 65 vjet  – tetë nga dhjetë raste të vdekjes të personave të kësaj grupmoshe janë si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga gripi. Kjo ndodh sepse sistemi imunitar me kalimin e viteve dobësohet dhe bëhet më pak efikas në luftën kundër infeksioneve, si për shembull, gripin. Gjithashtu, nëse personi i sëmurë paraprakisht ka pasur problem me zemrën, diabet, sëmundje kronike të mëlçisë, veshkave ose mushkërive, gripi mund t’ia përkeqësojë gjendjen dhe të jetë vdekjeprurës.

Gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësor gjithashtu kanë nevojë për vaksinim!

OBSH u rekomandon grave shtatzëna të vaksinohen kundër gripit sepse ato janë më shumë të prirura për të zhvilluar një formë më të rëndë të sëmundjes pas infektimit me virusin e gripit, e kjo gjë mund të ketë pasoja negative edhe për fetusin. Dhe që është edhe më me rëndësi, vaksina kundër gripit e pranuar gjatë shtatzënisë e mbron edhe foshnjën në muajt e para të jetës.

Edhe punonjësit shëndetësor konsiderohen si një grup i rrezikuar për shkak të ekspozimit ndaj viruseve të ndryshme për çdo ditë, përfshirë këtu edhe virusin e gripit, e prandaj duhet të mbrohen.

Mënyra më e mirë për ta ndaluar infeksion është vaksinimi. Duke pasur parasysh që viruset e gripit ndryshojnë, është e nevojshme që vaksina të pranohet çdo vit që të jemi në hap me viruset që qarkullojnë në rajon. Në hemisferën veriore, kulminacioni i sezonit të gripit zakonisht ndodh në vjeshtë dhe në dimër, me ç’rast tetori është koha më e përshtatshme për ta pranuar vaksinën dhe për të filluar fushatën.

Ndryshe, vitin e kaluar vaksinimi kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut filloi në muajin nëntor ndërkaq nuk ka informacione se kur pritet të fillojë këtë vit. Deri tani, në vend ende nuk kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë informuar se kur do të fillojë injektimi i qytetarëve kundër gripit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat