Covid/Lumani: Ka 10 fish më shumë raste, por qytetarët nuk testohen

Maqedonia

Covid/Lumani: Ka 10 fish më shumë raste, por qytetarët nuk testohen

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 18:50
Sedat Lumani

Javën që e lamë pas, nga 4 deri më 10 tetor, janë regjistruar rreth 12% më pak raste të reja të Covid-19 në Maqedoninë e Veriut. Raporti i fundit i Institutit për Shëndet Publik bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar se 2,354 raste të reja në 33 qytete.

Raporti i ishp 4 -10 tetor:
–Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, dhe incidenca më e lartë javore është regjistruar në Kratovë.
-Personat më të prekur janë mbi moshën 60 vjeç, ndërsa më pak të prekur janë fëmijët deri në 9 vjeç.
-Janë raportuar 93 vdekje, 40 prej tyre nga kryeqyteti.
-U regjistruan edhe 34 riinfektime që është një rënie prej gati 15 %.

Se është ulur numri i rasteve pozitive e ka vënë re nga kontakti i përditshëm me pacientët edhe mjeku i përgjithshëm Sedat Lumani. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që numri i rasteve pozitive është i ulët ngaqë siç tha, shumica e qytetarëve nuk testohen në qendra për shëndet publik, por vetëm shkojnë nëpër mjek për t’u trajtuar.

“Për fat të keq kemi shumë njerëz që janë të sëmurë, nuk duan të testohen, nuk shkojnë në institucionet të cilat mbajnë raporte të rregullta. Ai numër nuk numërohet për shkak se vijnë tek ne dhe shërohen. Ditëve të fundit kemi një rënie bukur të mirë, të ndjeshme domethënë, raste sporadike pozitive në virusin korona”, tha Lumani.

Ndonëse, në opinion ka mendime se numrat e të infektuarve që nxirren në nivel ditor fryhen, sipas mjekut Lumani, në Maqedoni ka 10-fish më shumë raste sesa paraqiten nga Ministria e Shëndetësisë.

“Statistika botërore parashikon në pandemi numri i të regjistruarve shumohet me 7 në përgjithësi, te ne unë lirisht mund të them me 10, herë 10, nëse kemi 100 pozitiv atëherë janë 1 mijë pozitiv, sepse shumica janë edhe asimptomatik, ose me simptoma të lehta që nuk kanë nevojë të shkojnë te mjeku. Edhe ata që ishin me simptoma të rënda nuk duan të testohen, nuk duan të shkojnë të shtrohen apo nëpër institucione më të larta dhe kërkojnë trajtime shtëpiake, respektivisht në spitale private”, shtoi Lumani.

Sipas mjekut Lumani, duhet të respektohen masat për mbrojtje nga Covid-19, që të kemi sukses dhe të mbrohemi nga vala e re që parashihet të vijë në muajin e ardhshëm. Nuk mjafton vetëm vaksinimi, duhet mbajtur maska dhe distancë vlerësoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat