Maqedoni: Partitë politike të gatshme për zgjedhjet lokale

Maqedonia

Maqedoni: Partitë politike të gatshme për zgjedhjet lokale

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 10:17
Zgjedhjet në Maqedoni, foto arkiv

Partitë politike në Maqedoni tashmë kanë intensifikuar aktivitet partiake në terren dhe thonë janë të gatshme të futen në garë zgjedhore. Siç ka paralajmëruar kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, zgjedhjet lokale duhet të mbahen në tetor.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se vendimtare për të siguruar fitore do të jetë kualiteti i kandidatëve për kryetar komune, me të cilët do të garojnë në zgjedhje si dhe anëtarët e këshillave komunalë.

Mitko Gaxhovski nga Fakulteti i shkencave politike në Shkup për Radion Evropa e Lirë, konsideron se pushteti vendor përfundimisht duhet të reflektojë dhe të jetë në shërbim të qytetarëve.

Gaxhovski thotë se kësaj radhe më shumë do të votohet për personalitetin që do të garojnë për të fituar besimin e qytetarëve që të drejtojë një komunë të caktuar sesa partinë, sepse qytetarët tanimë saktë e dinë se kush ka kapacitet për tu mundësuar një jetë më kualitative.

“Komunat do të duhet të udhëhiqen përfundimisht nga figura të cilët do të duhet të garojnë me projekte konkrete për zgjidhjen e më shumë problemeve me të cilat përballen qytetarët, dhe jo atyre tu ofrohen ide që ne e quajmë ‘politikë e madhe’, duke ua lënë timonin e menaxhimit të komunës autoriteteve të pushtetit qendror ose edhe më keq, autoriteteve nga partia prej ku vjen kryetari i komunës përkatëse”, thotë Gaxhovski.

Por, njohësi i çështjeve politike, Selim Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë thotë se partitë politike kësaj radhe do të duhet t’i kushtojnë shumë kujdes edhe listës së kandidatëve për këshilltarë komunalë, me të cilën do të garojnë në zgjedhje sepse gara mes partive do të jetë shumë e ngushtë.

Selimi thotë se ka kohë të mjaftueshme që të pësojë ndryshime Kodi Zgjedhor, nëse partitë politike janë të sinqerta në deklarimet e tyre se janë pro aplikimit të modelit të listave të hapura që prej zgjedhjeve lokale, sepse në këtë mënyrë thekson ai, rritet cilësia e përfaqësuesve komunalë.

“Mendoj se me listat e hapura do të rritej në masë të madhe përgjegjësia e përfaqësuesve komunalë, dhe njëherësh do të kthehej besimi i qytetarëve ndaj të zgjedhurve për të cilët janë përcaktuar".

"Është çështje e konsensusit që partitë politike duhet të arrijnë rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Është e paqartë se në këtë fazë të arrijnë marrëveshje për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, dhe në zgjedhjet lokale të tetorit qytetarët të mund të kenë një votim të drejtpërdrejtë për ata që mendojnë se do t’i përfaqësojnë në pushtetin vendor”, thotë Selimi.

Faktori ndërkombëtar, sa i përket organizimit të zgjedhjeve, në vazhdimësi ka njoftuar për një varg parregullsish, sa i përket mungesës së ndarjes së pushtetit nga partia, lirisë së mediave si dhe përdorimit të administratës si një makineri votuese për partitë në pushtet.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve Bujar Osmani ka theksuar se zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë, paraqesin një nga shtyllat kryesore të planit qeveritar të njohur si plani 3-6-9, që në esencë synon t’i japë shtytje procesit integrues .

Osmani ka theksuar se Qeveria e Maqedonisë përmes rregulloreve adekuate do të bëj distancim të qartë mes shtetit dhe partisë, për të parandaluar të gjitha keqpërdorimet që ishin detektuar në proceset e kaluara zgjedhore, si pika nevralgjike dhe nga faktori ndërkombëtar, sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve të vendeve të zhvilluara demokratike.

“Zgjedhjet e ardhshme lokale do të reflektojnë më së miri pjesën e 3 të planit të Qeverisë”, ka theksuar Osmani duke nënvizuar se do të ndërmerren 11 reforma që do të jetësohen para zgjedhjeve lokale, ku mes tjerash do të përditësohet lista zgjedhore nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të punësohet kuadër i ri.

Qeveria e re Maqedonisë është zotuar se do të parandalojë shfrytëzimin e resurseve shtetërore në fushatën zgjedhore, si dhe do të angazhohet të parandalojë çfarëdo lloj presioni që mund tu bëhet të punësuarve në administratë.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, gjatë kësaj jave tha se nëse gjërat rrjedhin sipas dinamikës së paraparë, ai deri në 6 tetor do të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale për tu realizuar ato më 15 tetor./Rel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat