Sinqeriteti i partive politike do të vihet në sprovë në zgjedhjet lokale

Maqedonia

Sinqeriteti i partive politike do të vihet në sprovë në zgjedhjet lokale

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 10:55
Arkiv

Takimi i fundit i partive politike shqiptare, nënshkruese të platformës së përbashkët, nga ana e njohësve të çështjeve politike vlerësohet si një reflektim civilizues diskutimi për tema dhe probleme që janë specifike për këtë etni apo edhe për shtetin në përgjithësi.

Analisti Xhelal Neziri thotë se kjo tryezë është një forum apo formë e takimit të partnerëve shqiptarë të koalicionit, me të cilën dëshirohet të mbrohet tereni politik shqiptar në Maqedoni.

“Tryeza në fakt është një koalicion, kurse pjesëmarrësit në këto takime janë partnerë në koalicionin qeverisës. Pra kjo tryezë është një forum apo formë e takimit të partnerëve shqiptarë të koalicionit, me të cilën dëshirohet të mbrohet tereni politik shqiptar në Maqedoni. Tryeza do të jetë në përdorim përderisa partitë që ulen aty kanë interesa të përbashkëta politike dhe praktike. Nëse nuk do të funksionojë koalicioni, nuk do të ketë as tryezë të partive shqiptare”, tha Neziri.

Ai shtoi se sinqeriteti i këtij projekti do të vihet në sprovë në zgjedhjet lokale, kur do të shihet nëse interesat e ngushta partiake do të vihen mbi interes e përgjithshëm.

“Sidoqoftë, është një reflektim civilizues diskutimi i partive shqiptare për tema dhe probleme që janë specifike për këtë etni apo edhe për shtetin në përgjithësi. Sinqeriteti i këtij projekti do të vihet në sprovë në zgjedhjet lokale, kur do të shihet nëse interesat e ngushta partiake do të vihen mbi interes e përgjithshëm”, shtoi Neziri.

Nga ana tjetër, Robert Nesimi ka shprehur disa këshilla ndaj partive shqiptare ku dhe si duhet të funksionojë tryeza shqiptare dhe se kush duhet të merr pjesë në të.

Ai vlerëson se mënyra e funksionimit të kësaj tryeze duhet të bëhet në bazë të konceptit të “kaukaseve” të Kongresit Amerikan.

“Formati ku këto grupe funksionojnë bashkë, jashtë partive por brenda Kongresit, është “kaukusi”. “Kaukuset” pra janë forume ku mblidhen kongresmenë të interesuar për një çështje të caktuar, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake. Në Kongres ekzistojnë dhjetëra kaukuse të tilla, që quhen edhe konferenca, grupe studimi, grupe pune e të tjera. Për shembull ekziston Kaukusi i Zezakëve ku bëjnë pjesë të gjithë kongresmenët zezakë të Kongresit, pastaj Kaukusi i grave, Kaukusi automotiv, Kaukusi i lirisë, i kanabisit, i problemeve klimatike e shumë të tjerë. Madje ekziston edhe Kaukusi për çështje shqiptare i kryesuar nga senatorja republikane Xhoni Ernst dhe demokrati Geri Piters.”, vlerëson, Nesimi.

Ndryshe, Platforma ose Deklarata Shqiptare është dokument i dalë nga programet zgjedhore të partive politike shqiptare të Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, me qëllim për të shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Pikat kryesore të kësaj Platforme janë:
1. Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën
2. Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal
3. Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik
4. Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit
5. Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare
6. Marrëdhënie të mira me fqinjët
7. Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat