Familja e ushtarit të burgosur të UÇK-së nga Likova: Lirojeni djalin tonë

Maqedonia

Familja e ushtarit të burgosur të UÇK-së nga Likova: Lirojeni djalin tonë

Më: 30 korrik 2017 Në ora: 10:12
Rexhail Qerimi me bashkeluftetaret e tij te UÇK-se

Familja Qerimi nga fshati Opajë i Likovës, prej 10 vitesh vijon betejën me institucionet e drejtësisë për lirimin nga burgu të djalit të tyre Rexhail Qerimi.

Ish pjesëtari i UÇK-së, Rexhail Qerimi u dënua me burg të përjetshëm për pjesëmarrje në vrasjen e një polici të njësitit ‘Alfa’, më 26 nëntor të vitit 2008, në afërsi të Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup, ku mbetën të plagosur edhe tre policë të tjerë.

Avokatët mbrojtës por edhe familjarët rastin konsiderojnë si të montuar, pasi ditën e incidentit, Rexhail Qerimi ka qenë në fshat dhe madje është parë nga shumë dëshmitarë në lokalin e tij në qendër të fshatit.

“Si është e mundur që të akuzohet një person për vrasje, i dënuar me burg të përjetshëm, në një vend ku vrasjen e kapin kamerat e sigurimit në 11:35 mesditë e pastaj të thuhet se është incizimi i zi dhe se nuk duken figurat e tyre?. Pastaj një person, ku në vendim shkruan se janë gjuajtur mbi 70 gëzhoja të plumbave, dhe 4-5 orë pas ngjarjes arrestohet Rexhail Qerimi, i merren të gjitha analizat në të cilat del se nuk ka shenja baruti në duart e tij. Si mund të akuzohet për vrasje?”, thotë  për Ina Jetulla Qerimi, vëllai i Rexhail Qerimit.

Të zhgënjyer nga mosfunksionimi i organeve të drejtësisë familja e Rexhail Qerimit është bërë pjesë e iniciativës “Liri për viktimat e Grujevizmit”, përmes të cilës kërkohet amnisti për të burgosurit dhe revizion të gjykimeve nga gjykatësit maqedonas gjatë periudhës së pushtetit të kaluar.

“Gati dhjetë vite ne kërkojmë drejtësi. Meqë deri më tani nuk kishte drejtësi, meqë kishim një qeveri të tillë e cila nuk pranonte asnjë dokument por sa më shumë dënime të bëj  dhe sa më shumë para të mbledh. Ne si familjarë zgjodhëm të kërkojmë amnisti sepse kemi qeveri të re e cila mendoj se do të na ndihmojë në këtë iniciativë dhe do t’i lirojë këta persona për të cilët janë bërë raste të montuara –thekson Jetullah Qerimi, familjar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat