Të pasuksesshme kërkimet për Grujevskin dhe Boshkovskin

Maqedonia

Të pasuksesshme kërkimet për Grujevskin dhe Boshkovskin

Më: 1 gusht 2017 Në ora: 08:05
Ilustrim

Asnjë gjurmë nga ish punonjësit e DSK-së, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski. Tashmë pesë ditë, Policia është në kërkim nëpër gjithë Maqedoninë për t’i arrestuar. Në kërkim të tyre është vënë edhe Interpoli pasi MPB-ja lëshoi fletarrest ndërkombëtar.  Grujevski dhe Boshkovski vendimin e paraburgimit e pritën në liri. Pasi Apeli mori vendim të prerë se ka kushte për paraburgim për të akuzuarit në lëndët  “Target” dhe “Fortesa”, pasoi afat prej 10 ditëve për ankesë. Gjykata Supreme konfirmoi vendimin e paraburgimit për Grujevskin dhe Boshkovskin, ndërkaq, Toni Jakimovskit iu mor pasaporta maqedonase dhe ajo diplomatike. Ndryshe, ai është shef i Kabinetit të Sasho Mijallkovit, ndërsa tani është drejtor i organizatës kundër krimit, SELEK me seli në Bukuresht të Rumanisë. Grujevski dhe Boshkovski janë të pakapshëm për Policinë prej momentit kur Gjykata më e lartë konfirmoi vendimin për paraburgim. Vendimi në MPB është dërguar për katër orë, ndërsa ministria përgjegjësinë për arratisje e drejtoi tek Gjykata e cila nuk e ka dërguar vendimin menjëherë, dhe të akuzuarit kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta organizuar arratisjen.  Goran Grujevski i cili është ish shef i Drejtorisë së Pestë në MPB dhe Nikolla Boshkovski i cili është pjesë e Policisë sekrete përmes avokatëve të tyre nga Apeli, i kërkuan pasaportat e konfiskuara nga Penalja. Ata premtuan se nuk planifikonin të arratisen dhe se pafajësinë do ta dëshmojnë përmes procedurës gjyqësore, të cilën në asnjë mënyrë nuk do ta pengojnë. Që të dy akuzohen për përgjim ilegal disavjeçar në vend dhe për shkatërrimin e një pjesë të pajisjes, me të cilën janë ndjekur numrat e telefonit. Ata kanë qenë nën komandë të drejtpërdrejtë të ish shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili gjithashtu është i akuzuar në lëndët “Target” dhe “Fortesa”. Mijallkov për dallim prej tyre, mbeti vetëm pa pasaportën e tij. Ky është rasti i dytë kur i akuzuar i Speciales arratiset, pasi gjykata ka përcaktuar paraburgim. Paraprakisht u arratis biznesmeni Sead Koçan i cili u kthye në vend, pasi Gjykata e shfuqizoi paraburgimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat