Qeveria mbrëmë ka kthyer prapa Propozim Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin duhej të rregullohej përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Pas debatit deri në orët e vona të natës, nuk është arritur gjuhë e përbashkët, kështu që Ligji është kthyer në ripërpunim. Ministrat e Qeverisë janë marrë vesh që edhe më tej të vazhdojë koordinimi dhe korrigjimi i elementeve të kontestueshme.
Siç shkruan në njoftimin e Qeverisë, do të vazhdojë definimi i kompetencave të dy organeve të reja që do të kontrollojnë zbatimin e Ligjit të Gjuhëve. Dy organet e reja do të quhen “Agjencia për përdorimin e gjuhëve” dhe “Inspektorati për përdorimin e gjuhëve”.
“Qeveria e hapi debatin për miratimin e Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve. Pas debatit fillestar, është konstatuar se ka nevojë për koordinim të mëtutjeshëm, me qëllim që të arrihet harmonizim për mënyrën e implementimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Respektivisht, për definimin e kompetencave që do të buronin nga ligji, në kontekst të dy organeve që duhet të formohen”, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Maqedonisë.
Qeveria njoftoi se pika e Ligjit të Gjuhëve do të futet përsëri në rend dite në ndonjë prej seancave të ardhshme të Qeverisë.
Zëvendës Kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani dje ishte në takim tek presidenti Ivanov për t’ia shpjeguar planin 3-6-9 dhe për t’i kërkuar mbështetje për ligjin e gjuhëve, por nuk tregoi nëse Ivanov i ka dhënë garanca se do ti japë mbështetje.
Osmani nuk tregoi as përmbajtjen e Ligjit. Nuk deshi të tregojë nëse në këtë version janë të përfshira edhe gjuha shqipe në banknota dhe në uniformat e policisë, ashtu siç ai dhe partia e tij patën premtuar.