Kimi sërish godet Selën e Ahmetin

Maqedonia

Kimi sërish godet Selën e Ahmetin

Më: 1 gusht 2017 Në ora: 16:33
Kim Mehmeti

Pas raportimeve madiatike se partnerët e koalicionit qeveritarë nuk kanë arritur marrëveshje për miratimin e ligjit për gjuhën shqipe, ka reaguar edhe shkrimtari Kim Mehmeti. Sipas tij, e tërë kjo tregon se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket relacionit mes sunduesve maqedonas dhe vasalëve shqiptarë dhe e vetmja gjë për çka ata kurrë nuk kanë pasur mosmarrëveshje mes veti, është ndarja e posteve dhe e interesave personale të drejtuesve partiak. Sipas Mehmetit, kjo ndodhë edhe për shkak se shumicën e votuesve shqiptarë të Maqedonisë, nuk i fyen dhe nuk i bënë të ndjehen të gënjyer thuajse asgjë, me çka, sipas shkrimtarit tonë, ky popull nuk është gjithaq viktimë e politikane të papërgjegjshëm e gënjeshtarë, sa i vetvetes. Më poshtë ua sjellim komentin e plotë të Kim Mehmetit, të publikuar në faqen e tij të FB.

“BDI’ja dhe LR-PDSH’ja thanë se janë bërë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, ngaqë janë marrë vesh me mandatarin për realizimin e ‘Platformës’ së partive shqiptare dhe se ligji për gjuhën shqipe, do miratohet para se të votohet përbërja e re qeverisëse! Në ndërkohë, mediat raportojnë se Qeveria nuk ka arritur pajtueshmëri rreth Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, që kalimthi thënë, nuk ka lidhej me zyrtarizimin e saj! E shihni: përsëritet ajo që vite me radhë e përbuzte inteligjencën dhe çdo gjë tonën, por nuk na bënte të ndjehemi të fyer: e vetmja gjë për çka asnjëherë s’kanë pasur mosmarrëveshje sunduesit maqedonas me vasalët e BDI’së (tani edhe me ata të LR-PDSH’së), ishte ndarja e posteve dhe e përfitimeve personale të krerëve partiak! Andaj, nëse do ndiqnim mendësinë e një thënie të Orvellit, atëherë do duhej të shtonim: një popull që nuk fyhet nga asgjë, nuk është viktimë e politikanëve të pandërgjegjshëm, por i vetvetes!”, shkruan Kim Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat