Bllokimi i Kuvendit nga opozita rikthen krizën politike

Maqedonia

Bllokimi i Kuvendit nga opozita rikthen krizën politike

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 13:37
Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë po përballet me pengesa të shumta në funksionimin e tij, për shkak të debateve maratonike nga fjalimet dhe ndërhyrjet procedurave nga deputetët e opozitës maqedonase.

Debati për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Marko Zvërlevski po zgjatë më shumë se dy javë, ndërsa rreth tre javë ka zgjatur edhe debati për rishikimin e buxhetit. Kuvendi u bllokua edhe gjatë konstituimit të tij, që çoi madje edhe në dhunë fizike pas aktit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Pengesa të tilla priten edhe në të ardhmen, bazuar në praktikën e deritanishme të veprimit të VMRO-së së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, duke e çuar vendin në krizë të re politike pas zgjedhjet së Qeverisë së kryeministrit, Zoran Zaev, të LSDM-së.

Deputetët e VMRO-së, kanë thënë se veprimi i tyre është në kuadër të kornizave ligjore dhe se do të ndërhyjnë ndaj çdo nisme që ata e vlerësojnë si të dëmshme për demokracinë dhe vendin në përgjithësi. Por, partitë në pushtet, thonë veprimi i VMRO-së nuk është gjë tjetër, pos bllokim i punimeve të Kuvendit, si formë e vetme për të mbrojtur krimin e qeverisjes së tyre.

Se vendi ndodhet para sfidave të reja politike, e konfirmojnë edhe njohësit e çështjeve politike dhe juridike.

“Kuptohet, kjo është mënyra me të cilën deputetët e opozitës do të tentojnë të pengojnë reformat në shoqëri, por mendoj se nga një sjellje e tillë do të humbin vet ata. Të gjithë e kemi të qartë se çfarë po ndodh në debatin për Prokurorin e Përgjithshëm, pasi nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e një prokurori të shkëlqyer, por të një personi i cili ka mbrojtur krimin në vend dhe këtë qytetarët çdo ditë po e shohin”, thotë analisti Nikolla Dujovski, por duke mos përjashtuar mundësinë edhe për zgjedhje të reja, pasi sipas tij, obstruksionet do të ketë në vazhdim, për shkak se VMRO-ja, siç thotë ai, ka krijuar një kornizë të atillë në rregulloren mbi punën e Kuvendit, që i jep të drejtën e debateve të pafundme për çdo nismë të partive në pushtet.

“Ndoshta është ende herët, por mendoj se edhe mund të jenë pjekur kushtet për të menduar për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndoshta kjo është një nga zgjidhjet e mundshme. Ata kanë miratuar një rregullore të Kuvendit e cila i konvenon vetëm atyre, kanë formuar dhjetë grupe parlamentare ,që të munden në pafundësi të debatojnë mes veti, e kështu me radhë”, thotë Dujoski.

Mersim Maskuti, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës, thotë se zhvillimet e fundit në Kuvend dëshmojnë edhe një herë se partitë politike ende janë larg demokracive të zhvilluara perëndimore, pasi me punën e tyre po dëshmojnë se përveç pengesave, apo bllokimit të institucioneve, nuk mendojnë për çështje tjera në të mirë të qytetarëve.

“Situata momentale paszgjedhore, lidhur me funksionimin e Kuvendit, dëshmon edhe njëherë se në Maqedoni ende klasa politike nuk ka fituar pjekurinë e nevojshme politike, demokratike për funksionimin e institucioneve, konkretisht të Kuvendit të Maqedonisë. Sot kemi një opozitë e cila nuk luan rolin e saj konstruktiv, por është destruktive, do të thotë i bën obstruksione punës së Kuvendit dhe kjo bie ndesh me rregullat e demokracisë. Pa dyshim se gjithë këtë VMRO-ja e bënë për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare, pra për pikë politike”, thotë Maksuti.

Ekspertët, debate dhe pengesa më të mëdha presin kur në procedurë parlamentare të hyjë propozimi për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin parashihet avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe në nivelin qendror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat