Nga 10818 vende, vetëm 215 në gjuhën shqipe

Maqedonia

Nga 10818 vende, vetëm 215 në gjuhën shqipe

Më: 17 gusht 2017 Në ora: 20:18
ilustrim

Të enjten dhe të premten (në datat 17 dhe 18 gusht) do të hapen dyert për regjistrimin e studentëve të rinj edhe në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në universitetin më të vjetër në vend, për vitin akademik 2017/2018 janë rezervuar 10818 vende, prej të cilave 5865 për studentë të rregullt me kuotën shtetërore të financimit, 3793 vende për studentë të rregullt me bashkëfinancim dhe 1116 për studime me korrespondencë.

Tarifat e studimeve si në të gjitha universitete publike për një semestër janë 100 euro për studime me kuotën shtetërore të financimit, si dhe 400 euro në kuotën e bashkëfinancimit dhe në kuotën e studimeve me korrespondencë. Për UKMnë prej këtij viti, me vendim të Qeverisë janë ndërprerë të gjitha programet e disperzuara. Numri i vendeve për studime në gjuhën shqipe, në kuadër të UKM-së vazhdon të mbetet në kuotat e 215 vendeve, që nuk përbën as 2 për qind të numrit të përgjithshëm në nivel universiteti.

Përveç kësaj studimet në gjuhën shqipe janë të limituara vetëm në dy fakultete dhe katër programe studimore. Tradicionalisht UKM ka studime shqip në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” (FBK) dhe në Fakultetin Pedagogjik “Klimendi i Ohrit” (FKO). Në këtë të fundit, janë 410 vende gjithsej. Në gjuhën shqipe për programet e mësuesisë janë ndarë 70 vende, kurse në programet e edukatorëve 60 vende, respektivisht 130 vende gjithsej. 290-të vendet e mbetura janë për studime në gjuhën maqedonase dhe turke. FBK-ja, për këtë vit ofron 980 vende gjithsej. Pas Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë Angleze, e dyta me radhë për nga numri më i madh i vendeve për regjistrim është Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Te anglishtja janë 120 vende, ndërsa te shqipja 115 vende.

Mirëpo, jo të gjitha vendet e Katedrës së shqipes janë për studentë shqiptarë. Vetëm 55 vende janë për drejtimin e pedagogëve, ndërsa 60 vendet tjera janë për programin e përkthyesve edhe atë të ndara taksativisht përgjysmë mes shqiptarëve dhe jo shqiptarë- ve. Pra, në programin studimor të përkthyesve, sipas Konkursit 30 vende janë për studentë që e kanë shqipen gjuhë amtare ndërsa 30 vende për studentë që nuk e kanë shqipen gjuhë amtare. Rrjedhimisht në këtë fakultet, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për studentët shqiptarë do të ketë vetëm 85 vende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat