LSDM kërkon përkrahje nga opozita për ndryshimet ligjore

Maqedonia

LSDM kërkon përkrahje nga opozita për ndryshimet ligjore

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 14:44
Jagoda Shahpaska

Në konferencë për shtyp, deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpaska deklaroi se premtimet që u dhanë para qytetarëve dhe për të cilat votuan shumica e qytetarëve, tani po bëhen realitet.

“Punëtorët me të ardhura të ulëta më në fund do të mund të përdorin subvencione për pushim veror falas që nënkupton përkrahje shtesë për turizmin. Kjo është e paraparë me ribalancin e buxhetit dhe fillon me realizim që këtë vit. Pensionistët do të fitojnë rritje dhe harmonizim të pensioneve në dy baza: e para në pajtim me rritjen e pagave në vend dhe e dyta në përputhje me rritjen e harxhimeve për jetesë dhe ky harmonizim do të bëhet dy herë në vit”, tha Shahpaska.

Shahpaska poashtu përmendi rritjen e pagës minimale në 12.000 denarë, për të gjithë sektorët, duke përfshirë atë të tekstilit dhe të lëkurës, që deri më tani kanë qenë të diskriminuar. U përmend edhe çështja e punëtorëve të falimentuar, ku mbi 3.000 persona do të pranojnë kompensim mujor prej 7.569 denarë që do të jetë korrigjim i padrejtësisë që ka zgjatur me dekada.

Ajo apeloi deri te të gjithë deputetët e Kuvendit të Maqedonisë të përkrahin këto ndryshime ligjore të propozuara nga shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM, pasi që janë ligje në dobi të gjithë qytetarëve të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat