Maqedoni, koalicionet e mundshme për zgjedhjet lokale të tetorit

Maqedonia

Maqedoni, koalicionet e mundshme për zgjedhjet lokale të tetorit

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 17:13
Ilustrim

Partitë politike edhe në këto zgjedhje do t’i bashkojnë forca për të tërhequr sa më shumë vota. Nga të dhënat që qarkullojnë kohën e fundit, duket se ata do të funksionojnë në bazë të formulës “më përkrah, të të përkrah”.

Sinjalet e para të bashkëpunimeve të dukshme ndërpartiake u dhanë që pasi disa degë partiake vendosen të dalin nga BDI për të kaluar në LR-PDSH e BESA, dhe pasi në këto dy të fundit u shkri PPD-ja e dikurshme.

Por, ndryshe nga zgjedhjet paraprake ku bashkëpunime “të dukshme” kishim vetëm në baza të një përkatësie etnike, këto zgjedhje lokale nuk përjashtojnë bashkëpunimin shqiptaro-maqedonas.

Media nxorën informata se LSDM dhe BDI pritet të bashkëpunojnë në Komunën Kërçovës, Gostivarit, Shkupit dhe Kumanovës, ndërkohë që u tha informata se për në Kërçovë LSDM pritet të koalicionojë me RDK dhe UNITETI-n e Gëzim Ostrenit.

PPD-ja u tha se në Tetovë, Çair dhe Zhelinë do të përkrah Besën ndërkohë që në Strugë dhe Gostivar Aleancën për Shqiptarët. Kjo u bë e ditur edhe nga kumtesa e dërguar ditë më parë nga zëvendës-kryetari i PPD-së Hajredin Kaza.

Partia e Ziadin Selës, Aleanca për Shqiptarët u tha se në Tetovë ka vendosur ta përkrah liderin e BESA-s Bilall Kasamin, në Kërçovë BDI-në e Fatmir Deharit kurse në Dibër pritet të përkrah Ostrenin e UNITETI-t.

BDI u shpreh e gatshme për bashkëpunim me të gjitha partitë, nga ajo që spekulohet në media shihet se kjo parti do të përkrah vetëm Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në Komunën e Shkupit dhe Kumanovës.

Por, periudha pas formimit të qeverisë së Maqedonisë acaroi marrëdhëniet ndërmjet LR-PDSH-së, RDK-së dhe UNITETI-t, pjesë të koalicionit Aleanca për Shqiptarët. Kjo bëri që këto parti, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të mos koalicionojë në zgjedhjet lokale.

Për këtë, lideri i Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se: “Ne jemi zotuar se pas zgjedhjeve Aleanca do të del nga koalicioni që të bashkojë faktorin politik që të arrijë barbarsinë e plotë të shqiptarëve në Maqedoni ngaqë mendojmë se gjithsecili që ka marrë obligim ta përfaqësojë votën shqiptare duhet të punojë në këtë drejtim. Shkaqet për mosbashkëpunim me Besën kanë qënë të ndryshme nga sa është Memedi”, tha ai.

Ndërkaq, lideri i UNITETI-t, Gëzim Ostreni për portalb vlerësoi se partia e tij dhe RDK në zgjedhjet lokale të 15 tetorit do të marrin pjesë si koalicion Aleanca për Shqiptarët.

“Në zgjedhje lokale UNITETI dhe RDK do të marrin pjesë si koalicion nën emrin Aleanca për Shqiptarët. Kështu edhe jemi paraqitur në KSHZ. Do të kemi kandidatë të përbashkët në komuna por që për bashkëpunimet e tjera jashtë koalicionit do të shohim ditëve në vijim”, tha Ostreni.

Lëvizja BESA duke paralajmëruar rrjedh të bisedimeve për bashkëpunim në zgjedhje lokale me Aleancën për Shqiptarët, u shpreh se në mënyrë kategorike është kundër bashkëpunimit me BDI-në.  BESA si duket ngelet partia me përkrahje më të vogël ndaj oponentëve tjerë partiak, sepse siç është deklaruar deri më sot ajo do të mbështesë vetëm kandidatin e pavarur të Kërçovës.

Por nga ajo që përflitet dhe ndryshe nga zgjedhjet paraprake, LSDM-ja do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve. Mediat spekulojnë se në Kërçovë partia në pushtet do të përkrah BDI-në, ndryshe nga ajo që veproi më 2013-n kur përkrahu VMRO-DPMNE-në. Duke pasur parasysh se lufta në bllokun maqedonas nuk duket më e lehtë, nuk përjashtohet edhe bashkëpunimi i tyre me partitë rome dhe shqiptare. Kjo u bë e ditur edhe nga deklarata e së premtes e lideri të LSDM-së, Zoran Zaev.

Të gjitha këto emra dhe kalkulimesh koaliconuese u hodhën poshtë nga partitë por, duke theksuar që të gjitha njëzëri se bashkëpunime do të ketë, por nuk dihet ende se me kë.

“Po shqyrtojmë të gjitha opsionet për bashkëpunim. Do të bashkëpunojmë edhe me parti shqiptare sepse duhet të zgjedhim kandidatët më të mirë për qytetarët. Por konkrete ende nuk ka diçka”, tha nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zeqiri.

Ndërkohë që të premten, lideri i kësaj partie Zoran Zaev në Haraçinë tha se : “Ne bisedojmë me parti edhe jashtë koalicionit. Bisedojmë në aspekt të gjetjes së pikëve të përbashkëta të programeve partiake dhe kandidatëve komunal. Ajo do të ndodh edhe me partitë shqiptare, po bisedojmë, shpresoj se do të kemi sukses edhe në atë drejtim. Tashmë dihet se si parti multietnike do të kandidojmë shqiptarë në komuna shqiptare. 70 përqind e kandidatëve veç më janë përzgjedhur. LSDM do të kandidojë në 60 komuna por, ka përpjekje që të shkohet deri në maksimum e numri të arrijë deri në 70″, tha ai.

Nga Lëvizja BESA sa i përket bashkëpunimeve të mundshme thanë se janë duke shqyrtuar të gjitha opsionet duke përsëritur edhe njëherë se bisedimet kanë filluar me partinë Aleanca për Shqiptarët.

“Tash për tash bisedimet i kemi filluar me partinë Aleanca për Shqiptarët, sa i përket të tjerave nuk kemi shqyrtuar mundësitë”, tha zëdhënësi i BESËS, Faton Fazliu, i cili i pyetur se që të fitohet në Tetovë do të duhet vota e maqedonasve, a pritet bashkëpunim i kësaj partie me parti maqedonase, ai në mënyrë kategorike se: “BESA nuk parasheh të bashkëpunojë me parti maqedonase”.

Në lidhje me këtë lideri i Aleancës, Ziadin Sela tha:”Ditëve në vazhdim do të ju njoftojmë. Deri më tani nuk ka asgjë të konkrete”.

Gatishmëri më të lartë ka treguar Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilët publikisht kanë shprehur se janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha partitë. Por me BDI-në nuk do të koalicionojë PDSH dhe BESA.

“Nuk bëjmë koalicion me këta që janë në pushtet. Ka pas shpifje se këto janë me BDI, Alinë. Është e qartë se s’kemi marrëveshje dhe koalicionimi. Po pse ulemi me të. E para për të ulur konfliktin politik mes shqiptarëve. E dyta si parti më e vjetër dhe me më përvojë ekziston bindja në Shqipëri dhe Kosovë se ne duhet ti ndihmojmë ti realizojmë interesat shqiptare. Por ne deshëm ta konsumojmë këtë dhe ti bindim Tiranën dhe Prishtinën se nuk ka ndihmë për Ali Ahmetin. Sepse ata i kanë shit drutë që në fillim, para 16 vjetëve”, ka thënë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në tubimin e tij në Likovë.

Ndërkohë që ka shprehu gatishmëri që të bashkëpunojë me BESËN, duke thënë se: “Unë dhash maksimumin dhe qasjen e sinqertë për të arritur marrëveshje koalicionimi me Lëvizjen BESA. Fatkeqësisht nuk arritëm. Nuk kemi marrëveshje për zgjedhjet lokale dhe nuk duhet të shkojë një hap më tej për tu mos u keqkuptuar. Mendoj se ata duhet të jenë të kujdesshëm, për shkak se sot me kohë përcaktohet pozita si opozitar”, tha ai.

Përndryshe, partive ju kanë ngelur vetëm edhe pak ditë për të përzgjedhur kandidatët për këshilltarë dhe kryetarë komunash dhe për të dorëzuar listat në KSHZ më së voni deri më 9 shtator. Afati për dorëzimin e emrave të kandidatëve ka filluar të rrjedh nga 21 gushti. Më 25 shtator fillon zyrtarisht fushata parazgjedhore për rrethin e parë e cila do të përmbyllet dy ditë para zgjedhjeve të 15 tetorit, ndërsa më 14 tetor do të jetë heshtje parazgjedhore. Fushata për rrethin e dytë do të fillojë pas votimit të rrethit të parë dhe do të përmbyllet më 27 tetor. Votimi për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat