Maqedonia ngec në riciklimin e mbeturinave nga paketimet

Maqedonia

Maqedonia ngec në riciklimin e mbeturinave nga paketimet

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 13:27
Oda ekonomike e Maqedonise

Republika e Maqedonisë ngec në përmbushjen e qëllimeve nacionale për riciklimin e mbeturinave të cilat mbeten nga paketimet, meqë deri në vitin 2020 vendi do të duhet të grumbullojë dhe të riciklojë 60 për qind të mbeturinave nga paketimet, që është një ndër kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Ky është konstatimi i Asociacionit të Lëndëve Sekondare dhe Riciklatorëve (ALSR) të cilët veprojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë të cilin e shpalosën në një konferencë për mediat, në të cilën i bënë thirrje pushtetit lokal dhe autoriteteve tjera në shtet, që përmes formave të ndryshme të ndikojnë në rritjen e vetëdijes së qytetarit për nevojën e riciklimit të mbeturinave, raporton Anadolu Agency.

Përfaqësuesi i Asociacionit të Lëndëve Sekondare dhe Riciklatorëve, Ivo Brdaroski, tha se kompanitë riciklatore që nga fillimi i punës në vitin 2011, në përputhje me ligjin për paketimet dhe menaxhimin e mbeturinave nga paketimet, arriën të grumbullojnë dhe të dërgojnë në riciklim mbi 10 ton mbeturina, të cilat deri në atë kohë kanë përfunduar në deponitë, ndërsa vitin 2016 kjo shifër ka shkuar në 25 ton.

Megjithatë tha Bërdaroski, kjo shifër është larg nga ajo që BE e kërkon nga Maqedonia, meqë sipas përllogaritjeve të tyre, Maqedonia aktualisht riciklon vetëm 25 për qind të mbeturinave.

“Në përputhje me direktivat evropiane, deri në vitin 2020 në nivel të shtetit do të duhet të grumbullojmë dhe të riciklojmë 60 për qind nga mbeturinat nga paketimet. Për realizimin e këtyre qëllimeve nevojitet investim në infrastrukturë, në sektorin e grumbullimeve, në kontejnerë dhe ngritje të vetëdijes dhe edukim se cila mbeturinë në cilin kontejner duhet hedhur”, tha ai.

Sipas tij, mungojnë shifra të sakta për sasinë e mbeturinave nga paketimet, meqë ka mbeturina nga paketimet të cilat nuk evidentohen fare nga sistemi, siç janë shishet e plastikës të cilat grumbullohen nga persona fizik dhe përfundojnë jashtë shtetit.

Lubço Avramovski nga asociacioni i lartpërmendur, në prononcimin e tij për mediat tha se ligji për menaxhimin e mbeturinave nga paketimet, përfshinë në vete pushtetin lokal dhe ndërmarrjet komunale, bashkëpunimi me të cilat ka munguar, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të realizohet sistemi i integruar me mbeturinat.

“Përkundër marrëveshjeve të nënshkruara me pushtetin lokal për grumbullimin e mbeturinave njëri nga problemet që paraqitet është nevoja për ngritjen e vetëdijes te qytetarët ku kërkohet bashkëpunim me pushtetin lokal. Ne furnizojmë me kontejnerë dhe i vendosim në lokacionet e nevojshme ku mund të servisohen, por kjo kërkon një vazhdimësi në punën e ndërmarrjeve komunale”, tha Avramovski.

Ai tha se qytetarët kanë filluar të njohin vlerën e mbeturinave, pasi gjithnjë e më shumë rritet numri i atyre që mbledhin shishet e plastikës, kilogrami i të cilave nga 5 denarë ka shkuar në 17.

Mbeturina nga paketimet janë mbetjet nga produktet të cilat i konsumojmë, plastika, letra, kanaçet, paletat e drurit, ambalazhi i qelqtë dhe tetra-paku.

Në shtetet e Evropës Perëndimore, mbeturinat nga paketimet përllogariten mes 150 dhe 250 kilogram për kokë banori në vit, por kjo varet nga fuqia ekonomike, ndërsa në rajon varion mes 70 dhe 100 kilogram.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat