Zaev-Netanyahu: Do ta thellojmë bashkëpunimin mes Izraelit dhe Maqedonisë

Maqedonia

Zaev-Netanyahu: Do ta thellojmë bashkëpunimin mes Izraelit dhe Maqedonisë

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 15:57
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili është për vizitë pune në Izrael, sot në Jerusalem kishte drekë pune me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Kryeministri izraelit Netanyahu pas takimit në Twitter shkroi se me Zaevin kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes Izraelit dhe Maqedonisë.

Ndërsa në një kumtesë nga Qeveria e Maqedonisë thuhet se Zaev dhe Netanyahu pas takimit kanë deklaruar se qëndrojnë pas sigurisë dhe paqes në botë.

“Shikojmë së bashku për të ardhme më të mirë. Po shikojmë mënyrat dhe fushat ku mund të bashkëpunojmë në interes të dy vendeve. Kemi mësuar nga e kaluara se si ta sigurojmë të ardhmen. Izraeli është vend i zhvilluar teknologjikisht dhe do ta ndihmojë Maqedoninë”, ka deklaruar Benjamin Netanyahu.

Ndërsa Zoran Zaevi tha se përvojat e Izraelit me inovacionet dhe start up bizneset janë të rëndësishme dhe se Qeveria e re do të përdorë përvojën izraelite për jetë cilësore për qytetarët e Maqedonisë.

Zaevi pas takimit ka thënë se me Izraelin nuk kanë çështje të hapura dhe se janë vende miqe. Ai shtoi se bashkëpunimi me Izraelin do të zhvillohet në dy drejtime, siguri dhe paqen botërore, ku tha se Izraeli për këtë është shembull i mirë në botë.

Në takim kryeministrat e dy vendeve gjithashtu kanë biseduar për investimet izraelite në Maqedoni, për biznes më intenziv, si dhe për organizimin më të madh të biznes forumeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat