"Hetimi, i nisur mbrapsht", thonë ekspertët për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend

Maqedonia

"Hetimi, i nisur mbrapsht", thonë ekspertët për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend

Më: 5 shtator 2017 Në ora: 16:55
Kuvendi i Maqedonise

Kalimi i lëndës së 27 prillit nga Prokuroria Publike në Departamentin për krim të organizuar është tendencë e organit të akuzës për të zvarritur sa më gjatë zbardhjen e 27 prillit të përgjakshëm.

Ekspertët vlerësojnë se Prokuroria Publike ka shpejtuar me vlerësimin se më 27 prill ka pasur krim të organizuar, derisa një përqindje të madhe të personave të përfshirë në të enjten e përgjakshme nuk i ka thirrur për përgjegjësi. Ish eprori i policisë Ljubomir Gjurçeski konsideron se nuk mund të flitet për veprën krim i organizuar derisa hetimet nuk vijojnë pistën e hetimit nga hapja e dyerve e deri tek tentativa për vrasje.

"Për 27 prillin është ngritur padi penale ndaj katër personave dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit për veprën tentim vrasje, por paraprakisht nuk kemi asnjë ndjekje penale ndaj atyre të cilët kanë asistuar të akuzuarit të kryejnë këtë vepër, respektivisht ndaj atyre që i kanë hapur dyert e Kuvendit. Ato janë vepra për të cilat kompetente është Prokuroria Publike në Shkup dhe nuk shoh asnjë arsye që e gjithë lënda të kalohet në kompetencë të Krimit të organizuar. Kjo lojë që bëjnë këto dy organe jep përshtypjen se po tentohet të tejzgjatjet procedura për zbardhjen e 27 prillit"- tha ish polici Ljubomir Gjurçeski.

Ish anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publik Miralem Asani pohon se tentativa e Prokurorisë për krim të organizuar vjen si pasojë e politizimit të organit të akuzës. Sipas Asanit Prokuroria e Përgjithshme duhet të mbaj përgjegjësi për manipulimet e mundshme më lëndën.

"Po luhet një lojë nga brenda Prokurorive. Dy njësitë janë në kuadër të Prokurorisë Republikane, qoftë ajo për krim të organizuar apo Prokuroria Themelore e Shkupit. Nuk do hamendje se aty duhet vërtetuar sipas hetimeve dhe fakteve se ku bën pjesë lënda. Kryesorja është që ky veprim të mos ngelet pa sanksion pasi që ekziston rreziku që këto raste të na përsëritet kurdo që duan bande dhe grupacionet e ndryshme të sulmojnë institucione shtetërore kyçë si Parlamenti dhe të mos mbajnë përgjegjësi"- deklaroi ish Prokuror Miralem Asani.

Hetimet për 27 prillin janë akoma në fazë para hetimore. Prokuroria për krim të organizuar edhe tre muaj pas marrjes së lëndës nuk ka ngritur akoma asnjë akuzë. Ditë më parë nga ky organ njoftuan se akoma është duke u punuar në grumbullimin e dëshmive dhe provave materiale. Hetimet e 27 prillit për momentin kanë përfunduar vetëm me dy akuza ndaj dy personave të dyshuar për tentim vrasje ndaj deputetit Zijadin Sela, ndërsa të dyshuarit tjerë për pjesëmarrje në turmë u falën nga Gjykata Themelore e Shkupit. Raporti i MPB-së ka konstatuar se në vepra penale më 27 prill janë përfshirë edhe struktura udhëheqëse të MPB-së, polic dhe agjent të DSK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat