U promovuan tekste shkollore në Braj për nxënësit me pengesa në shikim

Maqedonia

U promovuan tekste shkollore në Braj për nxënësit me pengesa në shikim

Më: 5 shtator 2017 Në ora: 23:33
Librat

Sot, Projekti për fëmijët me pengesa në të pamurit, i mbështetur nga Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID) dhe Fondacionit ndërkombëtar i klubeve Lajons (LCIF), promovon 120 tekste shkollore (prej klasës I – IX), në gjuhën maqedone dhe shqipe, të përshtatura dhe shtypura në shkrimin Braj për nxënësit me pengesa në të pamurit.

Librat shkollor në shkrimin Braj do të jenë një burim i rëndësishëm për fëmijët me pengesa në të pamurit, së bashku me pesë qendrat burimore të pajisura plotësisht dhe me audio-librat që i ka realizuar projekti paraprakisht. Projekti për fëmijët me pengesa në të pamurit promovon literaturën në Braj mes personave me pengesa në të pamurit, si një mjet drejt përfshierjes së plotë sociale në shoqërinë e Maqedonisë.

“Këto tekste shkollore në Braj do ju ndihmojnë nxënësve me pengesa në të pamurit të marrin plotësisht pjesë në jetën shkollore dhe të fitojnë njohuri dhe aftësi që janë thelbësore për të qenë qytetarë aktiv dhe produktiv. Përmes këtyre materialeve të reja, mijëra njerëz do të kenë qasje në një botë në të cilën nuk kishin shume qasje deri tani, dhe unë jam krenar që USAID është pjesë e kësaj iniciative.”, – tha Dejvid Atbëri (David Atteberry), përfaqësues i UDSAID në Maqedoni. “Koha kur kërkohet nga qeveria që të ofrojë zgjidhje dhe fonde për gjithçka ka kaluar. Në vend të kësaj duhet të jemi gjithmonë në kërkim të mundësive të reja dhe inovative për partneritet me shoqërinë civile, sektorin privat dhe fondacionet e ndryshme për të gjetur zgjidhje për çështjet e sotme”. – shtoi ai.

“Procesi dyvjeçar i përshtatjes, botimit dhe korrigjimit të teksteve në shkrimin Braj nuk ka përfunduar sot. Ky proces duhet të jetë i vazhdueshëm, me ndryshimin e kurrikulës shkollore, me ndryshimin e teksteve shkollore në ngjyra, dhe librat shkollor në Braj duhet të ndjekin të njejtin trend. Ne kemi vendosur një standard, të cilin shpresoj që autoritetet arsimore do e marrin përsipër në të ardhmen.” – tha Shpëtim Latifi, drejtor i projektit.

Projekti për fëmijët me pengesa në të pamurit ndihmon në rritjen e cilësisë dhe qasjes në shërbimet arsimore për personat me pengesa në të pamurit. Fokusi i projektit është shkrim-leximi dhe botimi teksteve shkollore në Braj në gjuhët lokale, si dhe diagnostikimin e hershëm të pengesave në të pamurit, nëpërmjet realizimit të kontrollave të syve për fëmijët e moshës parashkollore. Përveç kësaj, projekti synon të promovojë pjesëmarrjen e personave me pengesa në të pamurit në aktivitete të ndryshme dhe t’i motivojë ata në mënyrë aktive të avokojnë për të drejtat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat