Planifikohet shfuqizimi i Ligjit për lustrim dhe përsëritja e proceseve të montuara gjyqësore

Maqedonia

Planifikohet shfuqizimi i Ligjit për lustrim dhe përsëritja e proceseve të montuara gjyqësore

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 13:33
Ilustrim

Këshilli për reforma në sistemin e drejtësisë së shpejti pritet që ministrit për drejtësi t’i dorëzojë tri iniciativa, për të cilat është diskutuar në mbledhjen e fundit të këtij këshilli.

Njëri nga anëtarët e këtij Këshilli, profesori Borçe Davitkovski, theksoi se në mbledhjen e fundit është hapur çështja e sjelljes së ndonjë propozim-ligji për shfuqizimin e lustrimit në Maqedoni.

Profesor Davitkovski tha se këto janë vetëm mendime fillestare për shfuqizim të procesit të lustrimit dhe nuk dihet ende nëse ky shfuqizim do të veprojë në mënyrë retroaktive dhe shtoi se ka edhe shumë aspekte të cilat duhet të bisedohen dhe të qartësohen. Ai shtoi se në mbledhje është biseduar edhe për problemin e kushteve të këqija në burgjet e Maqedonisë, mundësia për ndonjë lloj amnestie të pjesërishme, është biseduar edhe për bazat ligjore për përsëritjen e disa proceseve gjyqësore për të cilat është e qartë se janë inicuar me prapavijë politike.

“A do të shkonte ky proces nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin për procedurë penale ose në ndonjë mënyrë tjetër, për këtë ende diskutohet dhe jam i bindur se me një gjykim të sërishëm fer, një pjesë e mirë e atyre rasteve do të përfundonin ndryshe nga vendimi i tanishëm”, tha profesori Davitkovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat