Maqedoni, gati 22 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara

Maqedonia

Maqedoni, gati 22 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara

Më: 11 shtator 2017 Në ora: 19:55
Ilustrim

Përfaqësuesit i UNICEF-it, Benjamin Perks, tha se në Maqedoni ka 21.500 fëmijë me aftësi të kufizuara, ku shumë prej tyre nuk e vizitojnë shkollën dhe e kanë të kufizuar të drejtën për të luajtur me moshatarët e tyre.

Me moton “Shikoje fëmijën, jo pengesën”, zyra e UNICEF-it në Shkup të martën promovoi pjesën për Maqedoninë nga “Klasifikimi ndërkombëtar i funksionimit për shëndetin e fëmijëve me aftësi të kufizuara”, i cili pritet të bëjë ndryshim në mënyrën me të cilën i shikojmë dhe u përgjigjemi nevojave të fëmijëve me aftësëi të kufizuara. Si nga përfaqësues të UNICEF-it, ashtu edhe kryeministri Zoran Zaev kanë falënderuar personat që ndihmojnë dhe përkrahin fëmijët me aftësi të kufizuara, duke filluar nga familja e deri te rrethi më i gjerë shoqëror, shkruan Koha.

Përfaqësuesit i UNICEF-it, Benjamin Perks, tha se në Maqedoni ka 21.500 fëmijë me aftësi të kufizuara, ku shumë prej tyre nuk e vizitojnë shkollën, e kanë të kufizuar të drejtën për të luajtur me moshatarët e tyre, për ndërtimin e raporteve, për zhvillimin e indetitetit të tyre, për shfaqjen e potencialeve të tyre, etj. “Më e keqja është se në vendet rurale, këta fëmijë fshihen nga shoqëria, për shkak të turpit dhe njollosjes”, thotë ai. Perks tregoi shembullin e një fëmije në Demir Kapi, që nuk i është ofruar ndihmë dhe nuk ka patur as vëmendjen e shoqërisë që e kanë rrethuar, për të cilin tha se të gjithë ne jemi të sigurt se ka nevojë më të madhe se të gjithë fëmijët tjerë. Ai bëri thirrje që këto raste mund t’i ndryshojmë përmes reformave sistematike.

Në lidhje me këto, Perks theksoi se UNICEF ka për qëllim të bashkëpunojë me Qeverinë, me sektorin civil dhe mediat, që të mos ketë në asnjë qosh të vendit, që nga Dibra deri në Dellçevë, nga Kumanova deri në Gjevgjeli dhe kudo, ku fëmijët me nevoja të veçanta të qëndrojnë të padukshëm. Qëllimi, sipas tij, është që edhe ata fëmijë të jetojnë si të gjithë e të jenë pjesë e shoqërisë tonë. Perks potencoi se duhet të merren masa urgjente për përmirësimin e gjendjes. “Për ta përmirësuar gjendjen e fëmijëve me nevoja të veçanta duhet reformat të menjëhershme. Duhet të garantojmë të drejtën e çdo fëmije për të mësuar dhe e domosdoshme është përkrahja nga familja dhe bashkërisht të klasifikojmë aftësitë dhe kapacitet e çdo fëmije”, tha Perks, përfaqësuesi i UNICEF-it.

Ai tregoi rëndësinë e iniciativës “Klasifikimi ndërkombëtar i funksionimit të shëndetit të fëmijëve me nevoja të veçanta” dhe bëri apel që të gjithë të punojnë në realizimin e idesë që çdo fëmijë në vendin tonë të ndjehet njëlloj si fëmijët e tjerë, respektivisht pa pengesa. Kryeministri Zoran Zaev tha se Qeveria është përcaktuar t’u mundësojë të drejta dhe shanse të gjithë kategorive të njerëzve. “Jam këtu si përfaqësues i Qeverisë dhe shteti jonë e përkrah iniciativën e UNICEF-it, të Klasifikimit ndërkombëtar i funksionimit, të merr hap çfarë fëmijët munden, ose çfarë nuk munden, pasi ky dokument është i vlefshëm. Si pjesë e qeverisë, me ministrinë e Politikës Sociale, filluam të punojmë në dy pilot lista për funksionimin e përqindjes së fëmijëve me nevoja të veçanta”, tha Zaev.

Ai shtoi se është bërë klasifikimi i dobësive dhe kapacitetit të shumë prej tyre, për shkollimin, ndarja e buxhetit, projekte të cilat duhet të inkuadrohen ekspertë, mjekë, për të punuar me fëmijët me nevoja të veçanta, për përparimin e tyre në mjedisin jetësor. Zaev shtoi se Maqedonia është nënshkruese e Konventës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe bëri me dije se shumëçka nuk funksionon në dobi të personave me aftësi të kufizuara. Ai tha se bashkërisht do të punojnë në përmirësimin e infrastrukturës së shkollave. “Kjo qeveri do të punojë me qëllim që të hap rrugën e mundësisë për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha Zaev.

Ngjarja, sipas UNICEF-it, e shënon edhe fillimin e fazës së re të fushatës “Bëhu korrekt. Për fëmijëri pa pengesa”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat