Beliçanec: Këshilli, pengesë për hetimet e 27 prillit

Maqedonia

Beliçanec: Këshilli, pengesë për hetimet e 27 prillit

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 18:34
Tito Beliçanec

Procesi hetimorë për zhvillimet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvend, po çalon si pasojë e moskonsolidimit të plotë Prokurorisë Publike.

Ekspertët vlerësojnë se organi i akuzës, hetimet i zhvillon në mënyrë hierarkike. Juristi Tito Beliçanec konsideron se 27 prilli nuk është një vepër e thjeshtë penale, por një tentim për grusht-shtet. Ai shton se Prokuroria Publike ka treguar sado pak mirëkuptim edhe për proceset politike, respektivisht zgjedhjet lokale.

 "Mendoj se hetimi është duke shkuar mirë. Kuptohet se ka pengesa edhe atë mu për shkak të strukturës së pjesëmarrësve. Prokuroria Publike akoma nuk është e konsoliduar dhe akoma nuk është zgjedhur prokurori i ri republikan. Ushtruesi i detyrës dha një ndihmesë të vogël dhe bëri një shtytje në proces. Hetimi po ecën nga niveli më i ulët duke shkuar drejt majave"- deklaroi Tito Beliçanec, Jurist.

Lidhur me mundësinë e zgjerimit të hetimeve për 27 prillin dhe ndërlidhjen e veprave të kryera më 27 prill me dyshimet për vepra të mëparshme penale, Beliçanec pohon se për këtë nevojitet dorëheqja e dy figurave relevante në sistemin gjyqësor në vend.
 
"Definitivisht duhet të japë dorëheqje kryetari i Gjykatës Penale dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor. Unë i konsideroj si përgjegjësit kryesorë për pengesa në procedurën hetimore. Pa dorëheqjen e tyre, këta dy trupa, pra sistemi gjyqësore dhe Këshilli Gjyqësorë si organ bazë i cili me presionin e tyre ka ndikuar në degradimin e gjykatësve, besoj se hetimi do të ketë pengesa por gjithçka është çështje kohe"- theksoi Tito Beliçanec.

Nga ana tjetër Prokuroria Publike nuk ndan detaje nëse në korniza të procedurës para-hetimore po shqyrtohet edhe mundësia e zgjerimit të hetimeve. Alsat M nga burime brenda këtij organi mëson se hetimi mund të zgjerohet ndaj të dyshuarit Igor Jug që i njëjti përveç veprave “udhëheqës i turmës që kryen vepër penale” dhe “tregti dhe përpunim ilegal me armë” të dyshohet edhe për veprën “tentim për vrasje” ndaj deputetëve të shumicës. 

Aktualisht për ngjarjet e 27 prillit është dënuar vetëm një person për dhunë ndaj ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, kurse janë ndaluar edhe 10 të dyshuar për tentim vrasje ndaj deputetit Zijadin Sela dhe një i dyshuar për udhëheqje të turmës.

Për bisedë në Prokurori nuk janë ftuar akoma deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski të cilët nga kamerat e sigurisë vërehen duke hapur dyert e Kuvendit për protestuesit e dhunshëm. Një pjesë të hetimeve po i procedon Prokuroria Publike ndërsa pjesën tjetër Departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat