Pas zgjedhjeve lokale në Maqedoni ndryshime në Qeveri dhe Parlament

Maqedonia

Pas zgjedhjeve lokale në Maqedoni ndryshime në Qeveri dhe Parlament

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 14:27
Ilustrim

Rezultatet nga të dy raundet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni paralajmërojnë ndryshime edhe në përbërjen qeveritare dhe parlamentare.

Është e pasigurt gjithashtu se cilët do të jenë hapat e ardhshëm dhe se si do të ndikojnë ndaj Qeverisë dhe Parlamentit paralajmërimet e mbrëmshme për mosnjohje të zgjedhjeve lokale nga ana e Aleancës për Shqiptarët, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar dhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila tani për tani ka numër më të madh të deputetëve në Kuvend.

Ndryshime në përbërjen qeveritare tani për tani priten në pozitën udhëheqëse në Ministrinë e Shëndetësisë për shkak se Arben Taravari, i cili vjen nga Aleanca për Shqiptarët, u bë kryetar i komunës së Gostivarit. Njeri i ri në Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev duhet të vijë edhe në vendin e ministrit pa resor i angazhuar për investime të huaja pasi mbrëmë, Ramiz Merko nga BDI-ja e fitoi Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët në Strugë. Kryetar i Çairit u bë Visar Ganiu nga BDI-ja i cili ishte zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Nga mesi i kësaj jave pritet që parlamenti ta vazhdojë punën pas raundit të djeshëm të dytë të zgjedhjeve lokale. Sipas paralajmërimeve nga Kabineti i spikerit, Talat Xhaferi në seancën e parë do të konstatohen dorëheqjet e dy deputetëve nga blloku shqiptar të dorëzuara para zgjedhjeve, do të përcillet edhe informata për disa deputetët të cilët fituan mandate të kryetarëve të komunave, si dhe verifikim të të rinjve.

Në vendin e Bilall Kasamit nga BESA, i cili nuk arriti ta fitojë funksionin e kryetarit të komunës në Tetovë, vjen Nexhbedin Karemani. Dorëheqje dha edhe Bardhyl Dauti nga PDSH-ja i cili ishte kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, por ende nuk dihet se kush do të ulet në funksionin e deputetit në vend të tij. E radhës në listën e PDSH-së në NJZ6 prej nga vjen ai është Merale Uzeiri Ferati, ndërsa pas tij Imer Aliu.

Grupi i deputetëve të LSDM-së gjithashtu do të pësojë ndryshime pasi kryetar i Shkupit u bë Petre Shilegov, ndërsa kryetarë të komunave të Karposhit Stefan Bogoev, Shuto Orizarës Kurto Dudush, Kumanovës Maksim Dimitrievski, Gjevgjelisë Sashko Pockov, Strumicës Kosta Janevski dhe Shtipit Bllagoj Boçvarski.

Vendet e tyre të deputetëve pritet t'i marrin Tatjana Lalçevska, Aneta Simeska-Dimoska, Lidija Tasevska, Riste Tashev, Kostadin Kostadinov, Agim Murtezanov dhe Kostadin Acevski.

Ndryshime në raportet parlamentare priten edhe pasi midis dy raundeve Çedomir Sazdovski nga GROM-i e njoftoi kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi se do të funksionojë si deputet i pavarur, e jo si pjesë e grupit të deputetëve të opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat