Prokuroria, një sërë parregullsish në raundin e dytë

Maqedonia

Prokuroria, një sërë parregullsish në raundin e dytë

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 15:07
Prokurori Xhelal Bajrami

Komisioni i përkohshëm për ndjekje të parregullsive zgjedhore në kuadër të Prokurorisë Publike në Maqedoni, ka paraqitur një sërë shkeljesh ligjore që janë bërë gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Prokurori Xhelal Bajrami mohon përfshirjen e pjesëtarëve të policisë në parregullsi zgjedhore dhe mohon të jetë bërë ndonjë denoncime për “Tren Bullgar”.

Në Veles është shënuar rast i keqpërdorimit të drejtës së votës, kur një person ka votuar në vend të gruas së tij. Një person tjetër në Veles ka ushtruar presion ndaj të punësuarve se për kënd të votojnë.

Organi që ka ngritur më së shumti kallëzime penale është Ministria e Punëve të Brendshme, pjesëtarët e së cilës kanë qenë nëpër secilin vendvotim, ndërsa nga Komisioni për ndjekje të parregullsive zgjedhore nuk japin numër të saktë të personave që dyshohen të kenë kryer parregullsi. Nga Prokuroria Republikane thonë se punojnë në zbardhjen e plotë të rasteve.

“Ne kuadër të Prokurorisë së lartë të Shkupit ku bëjnë pjesë disa Prokurori siç janë Prokuroria Themelore e Shkupit, Kumanovës, Velesit, Kavadarit e deri në Gjevgjeli, është dorëzuar kallëzim penal për një person nën dyshim se ka kryer vepër penale, shkeljen e të drejtës zgjedhore dënuar konform nenit 160 të kodit penal të republikës së Maqedonisë. Gjithashtu ka një paraqitje nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër dy personave për vepër penale ryshfet gjatë votimit dhe zgjedhjeve dënuar sipas nenit 162 të kodit penal”, deklaroi prokurori Xhelal Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat