Thirrjet e disa partive për zgjedhje të parakohshme, blof politik

Maqedonia

Thirrjet e disa partive për zgjedhje të parakohshme, blof politik

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 17:52
Ilustrim

Fitorja bindëse e LSDM-së në zgjedhjet lokale, do të thotë edhe përgjegjësi shtesë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, në periudhën që vijon, radhën do ta kenë prioritetet urgjente reformuese dhe integrimet euroatlantike, por vetëm në rast nëse VMRO-DPMNE-ja e pranon rezultatin zgjedhor dhe nëse nuk i bojkoton institucionet. Në qoftë se opozita fillon me bojkot, “kjo nënkupton krizë të re politike, konsiderojnë ekspertët.

“Së pari duhet të presim dhe të shohim çfarë do të thotë ky mospranim i rezultateve zgjedhore  nga ana e Nikolla Gruevskit, nëse kjo do të thotë se kryetarët e tij do të vijnë ose jo në punë, nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së do të paraqiten në Kuvend. Kështu që, do të shohim nëse kjo do të thotë hyrje në një krizë të re politike. Fitorja masive do të nënkuptojë edhe përgjegjësi shtesë në qoftë se nuk ka krizë të menjëhershme politike dhe në këtë drejtim mendoj se në radhë do të vijnë prioritetet urgjente reformuese, integrimet euroatlantike, etj., por e gjithë kjo do të ndodhte vetëm nëse VMRO-DPMNE nuk nis me një bojkot aktiv të institucioneve. Nëse VMRO-DPMNE-ja hyn në bojkot, kjo do të thotë krizë e re politike”, thotë për POST.mk, analisti, Petar Arsvoski.

Sipas analistëve, mbi rezultatin zgjedhor, ndikim të madh ka pasur edhe sjellja e VMRO-DPMNE-së, partia e cila, siç thonë, “sikur nuk e ka pritur humbjen e saj në raundin e parë të zgjedhjeve dhe e cila nuk ka ditur t’i mbledhë forcat e saja politike, që të mund në rrethin e dytë të dalë më e fortë”.

“Në të ardhmen, sado që VMRO-DPMNE ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mendoj se edhe ata nuk janë të gatshëm për momentin që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme në Maqedoni, por kjo më shumë është përdorur si pankartë politike, për t’i ulur gjakrat brenda VMRO-DPMNE-së, për shkak se tanimë vërehet një krizë e thellë brenda kësaj partie. Vlerësoj se VMRO-DPMNE-ja nuk do të jetë e gatshme që të dalë në zgjedhje të parakohshme, pa reformim të rëndësishëm të këtij subjekti politik”, u shpreh për POST.mk, analisti Blerim Hyseni.

Sipas tij, pas marrjes të pushteti lokal nga ana e LSDM-së, përveç atij qendror, tani është koha për realizimin e të gjitha premtimeve që i ka dhënë kjo parti.

“Është momenti që tanimë nga fjalët të kalohet në vepra dhe të gjitha premtimet të realizohen, qoftë në nivel lokal, qoftë në nivel të pushtetit qendror. Mendoj se platforma politike e LSDM-së, tanimë nuk mund të gjejë alibi se nuk u realizua për këto ose ato arsye. Pushtetin si në nivel qendror edhe lokal, tanimë e posedon. Mendoj se LSDM duhet të ketë një strategji më të qartë, qoftë në pushtetin lokal, e në veçanti në pushtetin qendror dhe nga fjalët të kalohet në vepra”,  tha Hyseni.  

Edhe Arsovski konsideron se partitë që bërën thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk janë të gatshme që edhe një herë të ballafaqohen me popullin dhe se pretendimet për zgjedhje të parakohshme janë vetëm një blof. Përveç kësaj, ai vlerëson se edhe bashkësia ndërkombëtare do të bëjë trysni që të mos mbahen zgjedhje të parakohshme, pasi Maqedonia një kohë të gjatë është bllokuar në një cikël të zgjedhjeve të shpejta të parakohshme parlamentare.

“Nuk kemi pasur dy-tri vite pa pasur zgjedhje, që të mund t’i realizojmë prioritetet urgjente reformuese, kështu që mendoj se duhet të ketë një periudhë pa zgjedhje, por kjo nuk varet nga dëshirat tona ose nga dëshirat e bashkësisë ndërkombëtare, por nga stabiliteti i shumicës dhe nga situata e përgjithshme politike. Sipas meje, aktualisht shumica parlamentare nuk rrezikohet dhe Zaev mund të forcohet, kështu që këto blofe për zgjedhje të parakohshme urgjente parlamentare, nuk janë kaq reale, por janë blof, pasi për momentin vetëm Zaevit i konvenon që të mbahen zgjedhje të parakohshme, prandaj partitë e tjera që i kërkojnë të njëjtat, vetëm blofojnë, thotë Arsovski.

Sipas analistëve, sa i takon Selës, ai ka bërë dy gabime të mëdha. Të parin e ka bërë në momentin kur ka hyrë në koalicion me Lëvizjen BESA…

“Mendoj se këto dy deklarata goditën shumë fortë këtë subjekt politik dhe mendoj se në veçanti votuesit shqiptarë votuam më tepër në rrethin e parë për z.Sela, për shkak se ai i ndjeu si një balancues ndërmjet BDI-së dhe Lëvizjes BESA. Në momentin që z.Sela bëri koalicion me Lëvizjen BESA, votuesit sikur u shokuan nga një veprimi i tillë i papritur kisha me thënë për votuesit shqiptarë dhe dënimi mendoj se e mori dje nga veprimi i tillë i pamatur i z.Sela. Ndërkohë, vlerësoj se zgjedhjet e parakohshme nuk do të vijnë në shprehje përderisa nuk do të krijohet krizë. Ndërkohë që kriza vlerësoj se për momentin është vështirë të krijohet, nëse kemi parasysh bashkëpunimin ndërmjet z.Sela dhe z.Kasami dhe nga ana tjetër dobësimin e VMRO-DPMNE-së”, ka shtuar Hyseni.

Iniciativa që është ndërmarrë nga treshi evropian për t’i ftuar të gjithë liderët të partive politike parlamentare në një takim të përbashkët jashtë Maqedonisë, sipas Hysenit, do t’i vendosë konturet e veprimit dhe funksionimit të mëtutjeshëm të Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat