Aleanca për Shqiptarët nuk largohet Qeverinë

Maqedonia

Aleanca për Shqiptarët nuk largohet Qeverinë

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 16:38
Aleanca për Shqiptarët

Treshja e koalicionit qeveritar, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, do të vazhdojë të mbetet e njëjtë. Zyrtarisht nga Qeveria deklaruan se në këtë institucion nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një debat të tillë, duke na adresuar për përgjigje te partitë. Nga partia e Ziadin Selës përsërisin qëndrimin e tyre se janë të përcaktuar për reforma dhe për bashkëpunim në zbatimin e programit qeveritar me të cilin parashikohen këto reforma.

"Qeveria është një sistem, një tërësi e cila duhet të përbëhet prej njësive që kanë veçori të përbashkëta. Në rastin konkret, ne e llogarisim veten si qeveri reformatore dhe unë nuk shoh asnjë arsye që Aleanca për Shqiptarët të mos jetë pjesë e kësaj qeverie sepse ne jemi të përcaktuar për të bërë reforma" – deklaroi Elmi Aziri, shef i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët.

Që largimi i Aleancës për Shqiptarët nuk është diskutuar mes partnerëve të koalicionit pohon edhe LSDM-ja.

"Nuk ka një gjë të tillë. Koalicioni është në bazë të principeve dhe presim të vazhdojë bashkëpunimi në drejtim të zbatimit të reformave në interes të të gjithë qytetarëve – njoftojnë nga LSDM-ja", shkruan Alsat m.

Nga BDI-ja thonë se presin vazhdimin e bashkëpunimit mes tre partive, në qeverisjen qendrore dhe në atë lokale.

"Ne jemi të bindur se reformat janë ata të cilat qytetarët presin. Një bashkëpunim i mirë me komunat, rrumbullakimi i Marrëveshjes së Ohrit në aspektin e barazisë etnike dhe anëtarësimi në NATO dhe BE… Kjo është ajo që pritet nga ne kurse sa i takon qëndrimeve të Aleancës ata vetë do ta sqarojnë pozicionin e tyre" – deklaroi Fatmir Besimi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Zërat për largimin e mundshëm të Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria u shtuan pas koalicionit të kësaj partie me Lëvizjen Besa, para rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat