Zaev me bindje se shumica e qytetarëve do të votojnë pozitivisht në referendum

Maqedonia

Zaev me bindje se shumica e qytetarëve do të votojnë pozitivisht në referendum

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 08:21
Zoran Zaev

Kryeministri Zoran Zaev sot, pasi Maqedonia e mori ftesën të fillojë negociata për inkuadrim në NATO, në ditën e parë të Samitit të Aleancës në Bruksel, shprehu bindje se shumica e qytetarëve të Maqedonisë do të votojnë pozitivisht në referendumin e ardhshëm për Marrëveshjen me Greqinë për emrin.

Duke marrë pjesë si folës në konferencën "Angazhimet e NATO-s: Dialogje në Samitin  në Bruksel" Zaev theksoi se prejse sot sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg e shpalli vendimin, vijojnë obligimet që duhet t'i plotësojnë të dy palët.

"Ne u obliguam për referendum, sepse e ndërrojmë emrin kushtetues. Referendumi duhet të mbahet kah fundi i shtatorit, fillimi i tetorit, pastaj vijojnë ndryshimet kushtetuese, për çka nevojitet deri 100 ditë  sipas rregullores së Kuvendit,  ndërsa pastaj vijon  ratifikimi në Parlamentin grek.  Procesi është shumë demokratik, normal dhe gjithsesi besoj  se qytetarët tanë në përqindje të madhe do të jenë për", porositi kryeministri Zaev, në konferencë, në të cilën morën pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, shefi i Diplomacisë Nikolla Dimitrov, zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane Bujar Osmani dhe koordinuesi për në NATO, Stevo Pendarovski.

Mospajtimet me kryetarin e VMRO-DPMNE-së do të menaxhohen përmes dialogut të hapur.

"Më vjen keq që presidenti ynë e humbi momentin të jetë me ne,  por pas votimit të qytetarëve tanë,  politikanët do të duhet ta respektojnë vullnetin e tyre dhe t'i plotësojnë kërkesat e tyre. Presidenti mund të vendosë të mos e nënshkruajë ligjin për ratifikim  dhe prejse për herë të dytë ishte votuar në Parlament, por pas referendumit të gjithë politikanët në vendin tonë do të duhet të përulen në vullnetin e qytetarëve", tha Zaev.

Qytetarët e Maqedonisë dhe Greqisë, theksoi ai, kohë të gjatë kanë jetuar  të ndarë për shkak të kësaj çështje politike dhe tani me marrëveshjen vjen koha kur të dy palët duhet t'i ndjejnë përfitimet,  jo vetëm aleancën në BE dhe NATO, por edhe mundësinë për bashkëpunim të rritur në ekonomi, investime, kulturë, arsim.

Procesi i negociatave nuk ka qenë i lehtë, por megjithatë ai dhe Cipras, siç tha kanë treguar se  më shumë kujdesen për të ardhmen e qytetarëve, se sa për karrierën e tyre politike.

"Nuk ishte lehtë edhe për të dy palët. Reagimet e  opozitave në të dy vendet, të cilat janë si copy paste,  është vërtetim se kemi marrëveshje korrekte. Kishte periudha të rënda gjatë negociatave për shembull kur është biseduar për çështjen e identitetit,  për emrin e ri të vendit tim, por kemi pasur besim të madh në integrimin tonë në NATO dhe BE dhe në atë se do të fitojmë mik të ri  me të cilin së bashku do të bashkëpunojmë për të ardhme më të mirë", tha Zaev. 

Theksoi se Greqia dhe Maqedonia me arritjen e marrëveshjes kanë zhvendosur male dhe kanë treguar shembull se është e mundur të zgjidhet një çështje e këtillë e ndjeshme.

Zaev theksoi se në çdo familje ka zënka, por nuk është shkak për ndarje apo shkatërrim të familjes, duke aluduar në kontestet në rajon dhe duke u përqendruar në atë pse në realitet Maqedonia dëshiron në NATO.

"Miqtë tanë, vendet -anëtare me siguri kanë harruar sa është ftohtë jashtë shtëpisë, ata duhet të mos harrojnë pse Aleanca është formuar, që ta ruajë paqen botërore dhe të kujdeset për stabilitetin dhe sigurinë. Ne jemi vend i vogël, por dëshiroj të kontribuoj për ndërtimin e një bote më të mirë", porositi Zaev.

Në pyetjen çfarë mund të ofrojë Maqedonia, si do të kontribuojë, Zaev theksoi se vendi është e ranguar në vendin e katërt, sipas pjesëmarrjes në  misionet në Afganistan për kokë banori, e ka rritur pjesëmarrjen për 20 për qind, vendi është shoqëri multietnike si dhe NATO dhe ndërton shoqëri, e cila është e barabartë për të gjithë ku të gjithë kanë të drejta dhe detyrime të njëjta.

Lidhur me ndikimin e Rusisë në vend, theksoi se Moska nuk ka asgjë kundër anëtarësimit tonë në BE, por kanë kundër qasjes në NATO.

 Ne jemi  vend i vogël, nuk jemi rrezik për askënd, duam të participojmë në kontributin për paqe dhe siguri, duam miqësi me të gjithë, ndërsa për vendin tonë nuk ka alternativë tjetër, përveç inkuadrimit  në BE dhe NATO”, porositi Zaev.

Theksoi se Maqedonia  ekonomikisht nuk është aq e varur nga Rusia,  më shumë është e lidhur me vendet perëndimore,  për shkak të së cilës ekziston besueshmëri e vogël se Moska mund të bëjë presion  ekonomik për shkak të anëtarësimit tonë në NATO.

Në pyetjen,  se cila është brenga e tij më e madhe, për shkak të së cilës  natën nuk mund të fle gjumë, Zaev  theksoi se ajo është brenga  se si t’u sigurojë jetë më të mirë qytetarëve të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat