Prodhimi industrial shënoi rritje prej 5,5 për qind nga janari deri në korrik

Maqedonia

Prodhimi industrial shënoi rritje prej 5,5 për qind nga janari deri në korrik

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 17:22

Prodhimi industrial në Maqedoni në korrik në raport me korrikun e vitit të kaluar shënon rritje prej 8,4 për qind, ndërsa për periudhën janar-korrik të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar rritja është 5,5 për qind, publikoi Enti Shtetëror për Statistikë.

Sipas sektorëve, prodhimi industrial në sektorin e xehetarisë dhe nxjerrjen e gurëve në korrik të vitit 2018, në raport me korrikun e vitit 2017, shënon ulje prej 11,5 për qind, në sektorin e industrisë përpunuese shënon rritje prej 12,5 për qind, ndërsa në sektorin furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim ulje prej 6,3 për qind.

Rritja në sektorin e industrisë përpunuese është rezultat, para se gjithash i prodhimit të rritur në: prodhimin e produkteve ushqimore, prodhimin e produkteve të duhanit, prodhimin e tekstilit, prodhimin e veshjeve, prodhimin e produkteve farmaceutike kryesore dhe preparateve farmaceutike, prodhimin e produkteve të gomës dhe produkteve prej masave plastike, prodhimin e produkteve të tjera jometale minerale, prodhimin e metaleve, prodhimin e produkteve të fabrikuara metale, përveç makinave dhe pajisjeve, të papërmendura në një vend tjetër, prodhimin e automjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove dhe prodhimin e mobileve.

Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në korrik të vitit 2018, në raport me korrikun e vitit 2017, shënon rritje tek produktet intermediare, përveç energjisë për 16,1 për qind, produktet kapitale për 25,3 për qind dhe produktet e qëndrueshme për konsum të gjerë për 26,7 për qind, ndërsa ulje shënohet tek energjia për 9,2 për qind dhe produktet e paqëndrueshme për konsum të gjerë për 1,8 për qind. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat