Maqedonia në fushatën para referendumit vendimtar

Maqedonia

Maqedonia në fushatën para referendumit vendimtar

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 22:34
Maqedoni

Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, dy partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoni bashkuan rreth vetes edhe tridhjetë parti më të vogla dhe shoqata e sindikata, para fillimit zyrtar të fushatës për referendumin e tridhjetë shtatorit. Për herë të parë në Maqedoni bashkohen kaq shumë faktorë politikë, që kanë një qëllim të përbashkët: integrimin e vendit në NATO dhe në BE duke ndryshuar emrin e shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Motoja e këtyre partive në fushatë do të jetë: "Të gjithë për Maqedoninë evropiane!"

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetar i LSDM-së tha se kjo është një ditë historike për vendin, ndërsa i ftoi qytetarët që në referendumin e 30 shtatorit të votojnë për një të ardhme më të mirë, për një Maqedoni evropiane.

“Më 30 shtator do t’i sigurojmë së bashku kufijt tanë, do ta afirmojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe veçoritë tona. Dhe do të fitojmë një të ardhme të sigurt si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, tha z. Zaev, duke bërë thirrje për kapjen e kësaj “mundësie shumë të pritur për ndryshime”.

Kryeministri maqedonas i bëri thirje drejtuesit opozitar, Hristijan Mickovski të VMRO-DPMNE-së që të bashkohet dhe të dëshmojë se “Evropa dhe NATO janë mbi politikën ditore”.

Ndërkaq, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se qytetarët dhe forcat progresive në vend janë të bindur se integrimi në NATO dhe në BE sjell paqe të qëndrueshme, siguri, barazi dhe marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, mirëqenie shoqërore dhe zhvillim ekonomik. Edhe ai ftoi opozitën që t’i bashkohet suksesit të përbashkët, siç u shpreh.

“Vendi ynë, ne si politikanë, shoqëria jonë gjendet para momenteve vendimtare kur nevojitet guxim dhe vendosmëri. Ne, të gjithë të bashkuar ju ftojmë të votojmë për Evropë, për NATO. Është referendum për një shoqëri më demokratike, me sundim të plotë të rendit dhe ligjit si dhe me luftë të pakompromis ndaj korrupcionit dhe krimit të organizuar”, tha z. Ahmeti.

Ndërkohë, aktorja Sabina Ajrulla u shpreh se: “ideja që duhet të na çojë përpara është lumturia e përbashkët, se askush nuk mund ta kontestojë atë që jemi dhe se gjuha e kultura gjithmonë do të ruhen nga gjeneratat e ardhshme nëse ato nuk i lëmë në dëshpërim”.

Pyetja e referendumit do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me mbështetjen e Marrëveshjes me Greqinë?”

VMRO-DPMNE-ja opozitare ende nuk ka njoftuar qëndrimin zyrtar nëse do të thërrasë për bojkotimin e referendumit apo do t’i lërë simpatizuesit e vetë të shprehen lirshëm, ashtu siç mendojnë. Sidoqoftë, drejtuesit e saj e kanë quajtur marrëveshjen e Prespës (për ndryshimin e emrit të Maqedonisë) si të turpshme që e vë shtetin në pozitë të nënrenditur ndaj Greqisë fqinje dhe që prek identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Nga ana tjetër, shumica e shqiptarëve të Maqedonisë pritet ta mbështesë referendumin, duke parë shpresa për një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Në referendum duhet të dalin mbi nëntëqind mijë votues që ai të jetë i vlefshëm dhe më tepër se pesëdhjetë përqindëshi i tyre të deklarohen në favor të pyetjes së shtruar. Në të kundërtën, parlamenti i Maqedonisë i merr përsipër të gjitha të drejtat për të vendosur më tutje./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat