Banorët e Veshallës kundër ndërtimit të Hidrocentralit

Maqedonia

Banorët e Veshallës kundër ndërtimit të Hidrocentralit

Më: 1 shtator 2018 Në ora: 08:01
Veshallë

Banorët e fshatit Veshallë kanë organizuar një peticion kundër projektit për ndërtimin e një hidrocentrali, pasi me të parashihet devijimi i lumit nga i cili furnizohen me ujë banorët për ujitjen e tokave pjellore. Ata thonë se nuk janë kundër hidrocentralit, por akuzojnë se askush nuk i ka konsultuar për pasojat të cilat i rrezikojnë si ata ashtu edhe sistemin ekologjik në këtë fshat.

“Projektin e konsiderojmë jo të kompletuar me dokumente të nevojshme për leje pune sepse deri më tani fare nuk është konsultuar bashkësia lokale nga investitori, e as që është nënshkruar ndonjë dokument që do të shërbente si bazë që do të parashihte dëmshpërblimin e pasurive private dhe favore të tjera të interesit të këtyre banorëve. Devijimi i rrugës natyrore i lumit në fjalë. Gjatë rrjedhës së tij dikur funksiononin tre mulli drejt rajonit të quajtur për Bozovcë. Do të shkaktonte katastrofë të vërtetë ekologjike dhe dëme të paparashikueshme për kulturat bujqësore të tokave pranë këtij lumi me të cilin ujiten”, tha Emin Denjalli, nga Këshilli protestues.

“Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe ajo që është me rëndësi ne kundërshtojmë jo projektet që kanë të bëjnë me hidrocentralet sepse të tillë ka mjaft në rrethinën e Tetovës dhe në Maqedoni. Por, këtu qëndron puna ndryshe, bëhet devijimi total I lumit në fjalë, prej këtij vendi deri 3-4 kilometra më lartë, lumi merret I tëri, shkon në drejtim të anës së djathtë për të pasur rënie më të madhe dhe rruga natyrore e lumit do të mbetet vetëm një humnerë”, u shpreh Vehbi Bexheti nga Këshilli protestues.

Revoltën e banorëve të fshatit Veshallë e ka mbështetur edhe Shoqata ekologjike “Eco Guerilla”. Arianit Xhaferi tha se Maqedonia nuk mund të pretendojnë integrimet evropiane duke shkelur pikërisht normat e BE-së për ruajtjen e ambientit.

“Organizata EcoGuerilla përkrah shqetësimin e banorëve të fshatit Veshallë dhe besojmë se ndërtimi i hidrocentralit aty ku nuk ka lum është shumë i dëmshëm sepse kjo tregon se planifikohet devijimi I një lumi të vogël që kalon në mes fshatit. Mesa dijë devijimet e tilla janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, siç patëm rastin edhe me zonën e Dibrës, projektin e ashtuquajtur Llukovo pole, ku u anulua shkaku se kërkohej që të devijohej rrjedha natyrore e lumit”, tha Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla.

Banorët kërkuan nga institucionet kompetente të rishikojnë dokumentacionin e projektit. Ata thanë se fshati Veshallë është pikërisht ne zonën më të përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor dhe ndryshimi i rrjedhës së lumit shkatërron këto pasuri natyrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat