Diaspora shqiptare kushtëzon mbështetjen për referendumin

Maqedonia

Diaspora shqiptare kushtëzon mbështetjen për referendumin

Më: 1 shtator 2018 Në ora: 19:06
Ilustrim

Diaspora shqiptare kërkon zgjidhjen e çështjes shqiptare, si kusht për mbështetjen e referendumit të 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Drejtuesit e Lidhjes Shqiptaro-amerikane dhe të Lidhjes së Diasporës Shqiptare në Evropë, thonë se e mbështesin plotësisht integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si synim shumëvjeçar i popullit shqiptar. Mirëpo, integrimi, sipas tyre, duhet të bëhet me të drejta të barabarta me maqedonasit, si dy bashkësitë më të mëdha etnike në Maqedoni.

Mahmut Skënderi nga Lidhja Shqiptaro-amerikane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, forcohet identiteti maqedonas, por jo edhe ai shqiptar, pasi, sipas tij, gjuha shqipe vazhdon të quhet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, bartës të sovranitetit nuk do të jenë edhe shqiptarët, ndërsa në dokumentet personale shqiptarët do të figurojnë si maqedonas.

“Askush nuk është kundër referendumit, por së pari duhet të njihet e drejta shqiptare para se popullit të dalë dhe të votojë. Me këtë, shteti maqedonas përfiton identitetin e tij kombëtar dhe tani me këtë ne do të paraqitemi si popull unitar maqedonas. Më nuk thuhet se populli maqedonas dhe populli shqiptar janë dy etnitetet më të mëdha këtu, aty nuk përmenden shqiptarët, por vetëm maqedonasit dhe sistemi unitar maqedonas… Ku mbeti çështja shqiptare në këto 25 vjetët e fundit, pse nuk zbatua platforma shqiptare nga Qeveria e Maqedonisë, ku mbeti decentralizimi i pushtetit lokal? Ku mbeti dygjuhësia dhe shtet-formimi? Ku mbetën këto katër çështje kryesore”, thotë Skenderi.

Edhe Lidhja e Diasporës Shqiptare është kundër çdo marrëveshjeje që bëhet për të ardhmen e Maqedonisë pa zgjidhjen e, siç thuhet, statusit shtet-formues të shqiptarëve me ndryshime të paevitueshme kushtetuese.

“Po manipulohet hapur me ndjenjat pro-perëndimore dhe pro-eurointegruese të shqiptarëve për të imponuar një marrëveshje që vulos trajtimin e tyre si qytetarë të rendit të dytë, duke konsumuar mundësinë e përgatitjes së një marrëveshjeje që nuk do të kontestohej nga shqiptarët për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Greqisë dhe IRJM-së”, thuhet në reagimin me shkrim të Lidhjes së Diasporës Shqiptare.

Nga Lidhja Shqiptaro-amerikane thonë se në rast se nuk zgjidhen çështjen e hapura, sipas tyre, dhe nuk investohet në zonat e banuara shqiptare, nuk do të ketë perspektivë dhe, për pasojë, do të vazhdojë eksodi i popullatës.

“Integrim për t’i zbrazur trojet shqiptare, gjithë rininë ta dërgojnë në Evropë dhe këtu të nisë kolonizimi i ri? A thua ky është integrimi i partive politike? Ku e kemi rininë sot? Të gjitha shkollat janë boshatisur! E tmerrshme, fshati ku unë jetoj, ka shtatë nxënës kur është me mbi 1 mijë shtëpi, por të gjitha të boshatisura!”.

“Unë e dua integrimin, por integrimi duhet të bëhet në vendin tënd, të zhvillohet, të krijosh ardhmëri për rininë këtu, e jo të marrë valixhet dhe të largohet nga vendi”, thotë Mahmut Skenderi, duke kritikuar partitë shqiptare, të cilat, sipas tij, prioritet kanë mbetjen në pushtet e jo zgjidhjen e çështjeve të hapura që për më shumë se dy dekada demokraci, nuk po gjejnë zgjidhje.

Partitë politike pa përjashtim, si ato shqiptare, ashtu edhe ato maqedonase, e kanë ftuar diasporën që të mos e humbë, sipas tyre, rastin historik dhe të japë kontributin për suksesin e referendumi, nga i cili varet integrimi në NATO dhe BE.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, disa herë kanë theksuar qëndrimin se me miratimin e Ligjit për gjuhët, është zgjidhur edhe çështja e fundit që ka të bëjë me shqiptarët dhe se angazhimi i tyre edhe në të ardhmen do të jetë në drejtim të forcimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Por, qëndrime të ngjashme me diasporën ka opozita shqiptare, e drejtuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila mbështet referendumin, por që fazën e ndryshimeve kushtetuese do ta kushtëzojë me zgjidhjen e kërkesave që janë të ngjashme me ato të diasporës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat