Referendumi në Maqedoni “ndez” sërish reagimet në Greqi

Maqedonia

Referendumi në Maqedoni “ndez” sërish reagimet në Greqi

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 09:04
Maqedoni

Afrimi i 30 shtatorit, ditës së referendumit që do të mbahet në Maqedoni për të aprovuar ose jo marrëveshjen me Greqinë për emrin, ka rritur përsëri reagimet e grekëve, sidomos në zonat veriore të vendit.

Shumica e protestave të javës që vjen në Selanik dhe qytetet e tjera rreth tij janë ato të organizuara nga grupe që kundërshtojnë marrëveshjen që nënshkruan Athina dhe Shkupi në Prespë, disa muaj më parë.

Reagimet që ishin shuar gjatë muajve të verës filluan përsëri të përshkallëzohen, sidomos pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Nikola Dimitrov, në Parlamentin Europian.

I pyetur nga eurodeputetët konservatorë të Greqisë, ai ka theksuar se “vendi i tij do të quhet Republika e Maqedonisë Veriore dhe qytetarët e saj do të jenë maqedonas, të cilët do të flasin gjuhën maqedonase”.

Janë pikërisht gjuha dhe identiteti, dy nga pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje, që për një pjesë të konsiderueshme të grekëve nuk pranohen.

Në shtypin e djathtë grek riprodhohen deklaratat e fundit, por edhe të mëparshme të kryeministrit Zaev, në të cilat ai thekson ato çfarë fiton vendi i tij me këtë marrëveshje, ndaj dhe kërkon nga bashkëqytetarët e tij pjesëmarrje në referendum dhe aprovimin e saj.

Sondazhi i disa ditëve më parë tregoi se, 57% e të intervistuarve janë shprehur se do të votojnë pro marrëveshjes, e cila do të sjellë integrimin e vendit në NATO dhe BE, e ky rezultat ka shkaktuar buzëqeshje në Shkup.

Ndërsa në Athinë, ministri i Mbrojtjes, njëkohësisht kreu i partisë së aleancës qeveritare “Grekët e Pavarur”, ka paralajmëruar menjëherë pas riformatimit të kabinetit që ka bërë kryeministri Tsipras se do ta rrëzojë qeverinë, nëse marrëveshja vjen në Parlamentin grek, duke mos e aprovuar atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat