Stoltenberg, vizitë dyditore në Shkup para Kurz dhe Merkel

Maqedonia

Stoltenberg, vizitë dyditore në Shkup para Kurz dhe Merkel

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 21:19
Zoran Zaev dhe Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar një vizitë dyditore duke nisur nga e mërkura, në Maqedoni, ku do të ndalet për herë të dytë në 6 muajt e fundit.

Vizita e tij pritet të pasohet nga ajo e Kancelarit austriak, Sebastian Kurz, gjatë së premtes, ndërkohë që të shtunën në Shkup do të ndalet edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Të gjitha këto vizita bëhen nën kontekstin e referendumit të ardhshëm në vendin fqinj, që do të zhvillohet më 30 shtator, në të cilin do të vendoset miratimi me votë popullore ose jo i marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të NATO-s, Stoltenberg do të takohet në Shkup me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, zv.kryeministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të vizitojë edhe fshatin Stajkovci, aty ku në vitin 2016, ushtarë dhe mjete të misionit KFOR të NATO-s hapën rrugët nga mbetjet e shkaktuara si pasojë e përmbytjeve shkatërrimtare.

Konferenca e përbashkët mes Stoltenbergut dhe kryeministrit Zaev pritet të mbahet në orën 14:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat