Merkel, Stoltenberg dhe Kurz këtë javë vizitojnë Shkupin

Maqedonia

Merkel, Stoltenberg dhe Kurz këtë javë vizitojnë Shkupin

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 08:30
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Foto nga arkivi.

Bashkimi Evropian po intensifikon aktivitetet në mbështetje të Maqedonisë për referendumin e 30 shtatorit për Marrëveshjen me Greqinë, që parasheh zgjidhjen e kontestit të emrit. Me këtë marrëveshje zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, pasi me zgjidhjen e çështjes së emrit, Greqia më nuk do t’i vendosë veto Maqedonisë për inkuadrimin në këto dy organizata.

Të mërkurën në mbrëmje në Shkup pritet të arrijë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten kancelari austriak, Sebastian Kurz, ndërsa të shtunën, kancelarja gjermane Angela Merkel, vizita e së cilës vlerësohet si historike për autoritetet e Maqedonisë.

“Ardhja e tre liderëve botërorë është mirënjohje për Maqedoninë, sinjal pozitiv. Ata po na e shtrijnë dorën që të ecim përpara”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev duke komentuar vizitat e përfaqësuesve të lartë evropianë.

Sipas tij, edhe opozita duhet të jetë e vetëdijshme se tani është momenti për BE-në dhe NATO-në, momenti kur sipas tij “të gjithë duhet të jemi të bashkuar për arritjen e qëllimit për inkuadrimin e vendit në strukturat euroatlantike”.

Gjermania konsiderohet si një nga shtetet që më së shumti ka mbështetur zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë si dhe procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Image
Kancelarja Merkel dhe kryeministri Zaev. Foto nga arkivi

Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane, ka thënë se në fokus të vizitës së Angela Merkel do të jenë “zhvillimet rajonale dhe çështjet bilaterale” dhe se kancelarja gjermane sipas tij “dëshiron që personalisht të krijojë përshtypjen, në vigjilje të referendumit për çështjen e emrit që do të mbahet në fund të muajit”.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s është e dyta brenda këtij viti. Jens Stoltenberg edhe kësaj radhe pritet të rikonfirmojë mbështetjen e Aleancës që Maqedonia të bëhet shteti i 30-të i saj, por që kjo të bëhet, kreu i Aleancës do të kërkojë që referendumi të ketë sukses.

“Nuk mund të jeni anëtare e NATO-s pa zgjidhur çështjen e emrit. Kjo i takon njerëzve të Maqedonisë të vendosin (në referendum)...Qartë e kemi thënë se do të nisni bisedimet, por se duhet t’i zbatoni të gjitha obligimet nga Marrëveshja me Greqinë, dhe më pas IRJM-ja do të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s, me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Stoltenberg.

Mbështetje për referendumin Maqedonia ka marrë edhe nga Austria, e cila aktualisht kryeson me Bashkimin Evropian. Edhe pse në opinion njihet si mbështetës i politikave të qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, tani kancelari austriak, Sebastian Kurz qartë ka bërë me dije se mbështet Marrëveshjen e Prespës, ndërsa gjatë vizitës së fundit në Vjenë të kryeministrit aktual, Zoran Zaev ka thënë se “marrëveshja paraqet hap vendimtar në procesin e afrimit të Maqedoninë në Bashkimin Evropian”.

 

Denko Maleski, profesor në Universitetin e Shkupit dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, thotë se interesi i Perëndimit për suksesin e referendumit dhe afrimin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së, ka të bëjë me dy faktorë. Së pari ka të bëjë me siç thotë “momentin unik historik i cili duhet të shfrytëzohet”, e që sipas tij lidhet me interesat e vendeve të perëndimit për uljen e ndikimit rus në Ballkan.

“Kjo është shumë me rëndësi që të kihet parasysh pasi më herët nuk kishte një interesim kaq të madh të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për zgjerimin e NATO-s me Maqedoninë dhe shtetet tjera të Ballkanit”, thotë Maleski.

Ndërsa, si faktor të dytë për interesimin e tyre në rritje për Maqedoninë, ai sheh pamundësinë e vendit që tani 30 vjet ta zgjidhë kontestin me Greqinë, andaj edhe angazhimi i tyre, sipas Maleskit, është në drejtim të mbylljes së këtij problemi që ka bllokuar edhe integrimin euroatlantik.

Vizita e liderëve evropianë vjen në momentin kur partitë në Maqedoni kanë intensifikuar fushatën për referendumin e 30 shtatorit. Partitë në pushtet, por edhe disa parti tjera jashtëparlamentare po zhvillojnë aktivitete për të bindur qytetarët se “mbështetja për Marrëveshjen me Greqinë dhe suksesi i referendumit janë mundësia e vetme për të ardhmen evropiane të vendit”. Opozita, nga ana tjetër, kundërshton Marrëveshjen me Greqinë duke e quajtur “kapitulluese për vendin, gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase”, por ajo deri më tani nuk ka dalë me qëndrimin nëse do të bojkotojë referendumin apo do të ftojë qytetarët që të votojnë kundër.

Përveç zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Maqedonia është vizituar edhe nga përfaqësues të lartë të administratës amerikane, siç ishte edhe vizita e zëvendësndihmësit të Sekretarit amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Matthew Palmer.

“Është e qartë se referendumi do të jetë një datë e rëndësishme që do t’u mundësojë qytetarëve të deklarohen. Shpresojmë se qytetarët do të dalin dhe do të deklarohen sipas vullnetit të tyre, pa presione dhe dezinformata”, pati deklaruar diplomati amerikan./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat