Xhaferi: Fushata për referendumin do të jetë transparente dhe pa diskriminime e paragjykime

Maqedonia

Xhaferi: Fushata për referendumin do të jetë transparente dhe pa diskriminime e paragjykime

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 12:39
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, sot në konferencë për shtyp së bashku me koordinuesit e grupeve të deputetëve, tha se fushatën për referendumin do ta udhëheqin në mënyrë transparente, të drejtpërdrejtë, pa paragjykime dhe pa diskriminime.

Xhaferi tha se si trup koordinues për fushatën, qëllimi i tyre do të jetë që të informojnë qytetarët e vendit për përfitimet që dalin nga anëtarësimi në NATO dhe BE.

“Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë kanë nder dhe krenari të jenë bartës të fushatës së referendumit. Vetë pyetja e referendumit, në vete përmban përcaktimin strategjik të shtetit. Duke pasur parasysh momentin historik, por edhe përgjegjësinë që kemi si të zgjedhurit e popullit, për rrugën në anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, informojmë se fushatën do ta bëjmë në mënyrë transparente, fer dhe demokratike, pa diskriminim dhe paragjykime”.

“Qëllimi jonë është që të informojmë qytetarët për dobitë e anëtarësimit në NATO dhe BE. Anëtarësimi në këto organizata do të thotë më shumë para, vende pune, treg më të madh, arsim, shëndetësi dhe bujqësi më të mirë. Gjithashtu edhe gjyqësor më të drejtë dhe shtet juridik. Jemi të vetëdijshëm se ka qytetarë që nuk e mbështesin anëtarësimin e vendit në këto institucione, ndërsa është përgjegjësi e jona që të informojmë ata”, tha mes tjerash Xhaferi.

Ai ju bëri thirrje pjesëmarrësve në fushatë që të sillen në mënyrë korrekte, në mënyrë që qytetarët të marrin vendimin e duhur.

Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes në fushatë të deputetëve të OBRM-PDUKM-së, Xhaferi tha se është i njoftuar se ata do të marrin pjesë në fushatë “kundër” referendumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat