Partitë në pushtet fillojnë fushatën për referendumin, kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për anëtarësim në BE dhe NATO

Maqedonia

Partitë në pushtet fillojnë fushatën për referendumin, kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për anëtarësim në BE dhe NATO

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 08:39
Ilustrim

Gjatë ditës së djeshme edhe zyrtarisht ka filluar fushata për referendumin e 30 shtatorit, në të cilin do të votohet për pyetjen: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE, duke mbështetur marrëveshjen me Greqinë?

Gjitha partitë në pushtet, në mënyrë të ndarë dje kanë zhvilluar aktivitete në kuadër të fushatës ku kanë realizuar takime me qytetarët në vende të ndryshme. Media ju sjell të përmbledhura aktivitetet e partive në kuadër të fushatës për referendumin e 30 shtatorit.

PDSH fushatën e filloi nga Çairi me moton “Një hap para për NATO dhe BE”. Kryetari i kësaj partie Menduh Thaçi, tha se fushata për referendumin duhet të dallojë nga fushata për zgjedhje. Ai tha se PDSH dëshiron që qytetarëve që janë skeptik t’u japin fakte dhe argumente.

BDI fushatën për referendumin e filloi nga Tetova, ku mbajti takim me qytetarët. Pjesëmarrës në këtë tubim ishte edhe Talat Xhaferi, i cili tha se BDI që prej themelimit në statutin e vetë ka këtë përcaktim dhe këtë vizion kyçjen e vendit në strukturat euroatlantike. Ai shtoi se me ardhjen e Qeverisë së re gjërat u përshpejtuan dhe çështjet që ishin gurrë pengues në arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë, u zgjidhën.

Aleanca për Shqiptarët gjatë ditës së djeshme mbajti konferencë për shtyp, në të cilën kryetari i kësaj partie Ziadin Sela, tha se shqiptarët që nga koha e Skënderbeut janë të përcaktuar drejt perëndimit. Ai tha se do të votojnë gjithçka që është në të mirën e përgjithshme të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, por pa shkelur dinjitetin dhe autoktoninë e shqiptarëve këtu në Maqedoni.

Edhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit dje ka mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën theksuan se kur të hapet Kushtetuta do të kërkojnë që 20 përqindëshi për shqiptarët të largohet.

Kurse partia maqedonase në pushtet LSDM, dje mbajti takim me qytetarët në Shën Nikollë, prej ku Zoran Zaev theksoi se më 30 shtator Maqedonia përfundimisht duhet të vendoset në rrugën e vendeve evropiane. Ai shtoi se tani nuk ka pengesa për Maqedoninë, që si vend me shumicë maqedonase të pranohet në gjithë botën.

Përndryshe, partitë politike të cilat janë shprehur “pro” referendumit edhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojnë të kenë aktivitete politike, ndërsa Telegrafi Maqedoni do t’ju njoftojë gjatë ditës së nesërme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat