Kuvendi nuk delegon vëzhgues për referendumin

Maqedonia

Kuvendi nuk delegon vëzhgues për referendumin

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Kuvendi nuk do të autorizojë vëzhgues nëpër vendvotime gjatë ditës së referendumit. Legjislativi këtë vendim e ka marrë në koordinimin e fundit të Trupit koordinues për referendumin dhe për këtë e ka njoftuar edhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Ky institucion, si bartës i referendumit, sipas ligjit, ka të drejtën e vëzhgimit në vendvotime, siç e kanë partitë politike në zgjedhje.

Kuvendi

Trupi koordinues i Kuvendit për referendumin ka konstatuar se nuk ekziston sistem adekuat për selektimin e numrit të nevojshëm të përfaqësuesve, por edhe ka marrë parasysh se tashmë ka një numër të madh të vëzhguesve të akredituar të jashtëm dhe të vendit. Njëkohësisht Trupi koordinues vlerëson se organet zgjedhore në mënyrë profesionale do t’i plotësojnë detyrimet e tyre në lidhje me referendumin duke pasur parasysh se organet zgjedhore përbëhen nga persona të punësuar në administratë, kurse Kuvendi ka besim të plotë te ata.

Ndërkohë skadon edhe afati për aplikimin e vëzhguesve nga sektori civil dhe përfaqësitë e huaja diplomatike. Edhe pse nuk është konkluduar zyrtarisht numri i saktë i tyre, besohet se ky proces do të monitorohet nga rreth 6 mijë vëzhgues të akredituar. Fletëvotimi do të jetë i vlefshëm vetëm nëse është rrethuar fjala “për” ose “kundër”, në mënyrë të qartë dhe të sigurt të mund të verifikohet se për cilin nga opsionet është përcaktuar votuesi.

Nga KSHZ-ja, për shkaqe sigurie nuk japin të dhëna të detajuara mbi pamjen e fletëvotimit andaj nuk dihet nëse para opsioneve “për” dhe “kundër” do të ketë numër ose shenjë tjetër por gjithsesi, thonë se secili opsion i rrethuar qartë, do të llogaritet si votë e vlefshme.

Heshtja zgjedhore do të fillojë të enjten në ora 24. Të shtunën do të votojnë personat e sëmurë dhe të burgosurit të cilët paraprakisht kanë aplikuar në KSHZ për të realizuar të drejtën e tyre. Në përpunim e sipër është numri i personave të sëmurë që janë paraqitur për të votuar kurse të drejtë vote ditën e shtunë kanë 1558 të burgosur, në paraburgim dhe në burg shtëpiak dhe 7 të shpërngulur. Tri ditë para mbajtjes së referendumit në vend, të drejtën e votës në 29 përfaqësi konsullore-diplomatike do të mund ta shfrytëzojnë edhe mbi 2 mijë shtetas të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat