Fushatës për referendumin i afrohet fundi, partitë vazhdojnë takimet me qytetarët

Maqedonia

Fushatës për referendumin i afrohet fundi, partitë vazhdojnë takimet me qytetarët

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 08:51
Foto ilustrim

Partitë politike parlamentare të cilat janë shprehur se do të mbështesin marrëveshjen me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit, gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës.

Media ju sjell të përmbledhura aktivitetet e partive, të cilat dje kanë mbajtur takime me qytetarët.

BDI ka mbajtur tubim në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ku para të pranishmëve, në kuadër të fushatës për referendumin që do të mbahet me 30 shtator është kërkuar që të votohet “pro” Maqedonisë në NATO.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se prioritet i BDI-së, në platformën e saj ka qenë anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian ndërkaq prioritet mbi prioritet ka qenë jetësimi dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit që do të përmbyllet duke miratuar ligjin e gjuhëve dhe së bashku me marrëveshjen që u nënshkrua në Prespës.

“30 shatori është një moment i papërsëritshëm dhe historik, pasi me 30 shtator nuk votohet një marrëveshje e arritur mes palëve. Me 30 shator ne flakim nga qafa një gurë që na peshon tash e 27 vite me radhë. Me 30 shtator nuk do të votojmë vetëm për paqen dhe stabilitetin dhe sigurinë në vendin tonë, por për mbarë rajonin e Ballkanit perëndimor, pasi kjo është një moment historik edhe për të tjerët. Me 30 shtator ne vulosim dhe ndahemi përgjithmonë nga e kaluara dhe vendoset gur themeli për të ardhmen evropiane e këtij vendi”, u shpreh kryetari i BDI-së.

PDSH dje në kuadër të fushatës për përkrahjen e referendumit të 30 shtatorit, mbajti tubimin e radhës me qytetarët e Komunës së Strugës.

Në fjalimin e tij kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi vlerësoi se “Marrëveshja e Prespës” është rezultat i një angazhimi maksimal dhe të një mobilizimi të paparë të diplomacisë perëndimore për zgjidhjen e kontekstit të emrit me Greqinë, si dhe të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

“Andaj referendumi i 30 shtatorit është një moment historik që ne duhet ta marrim seriozisht, sepse aty vendoset e ardhmja e familjeve tona”, theksoi Thaçi.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit fushatën për referendumin dje e vazhdoi në qytetin e Kumanovës. Kasami në fjalim e tij, në mes tjerash theksoi se: “ Duke votuar “për” më
30 shtator, rruga drejt NATO-s dhe BE-së do të jetë shumë më e lehtë dhe me këtë, do të kemi një të ardhme të ndritur. Të votojmë pro që të jemi të barabartë edhe në kushtetuë dhe të mos llogaritemi më si përqindje, por si shqiptarë, ashtu siç e kemi edhe slloganin për këtë fushat të Referendumit”.

Ai poashtu tha se me hyrjen në NATO, nuk do ketë më montime si në rastin e Sopoti, Kumanovës, Monstrës etj, në të cilët sipas tij, shqiptarët e kanë pësuar keq dhe gjithnjë kanë tentuar që fajin t’ua hudhin shqiptarëve.

Ndërsa partia maqesonase në pushtet LSDM, dje ka mbajtur disa takim me qytetarët në Vinicë, Strumicë, Kisella Vodë, Pehçevë dhe vende tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat