Dita e fundit e fushatës për referendumin, partitë vazhdojnë takimet me qytetarët

Maqedonia

Dita e fundit e fushatës për referendumin, partitë vazhdojnë takimet me qytetarët

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 08:53
Ilustrim

Partitë politike parlamentare të cilat janë shprehur se do të mbështesin marrëveshjen me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit, gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës.

PDSH dje në kuadër të fushatës për përkrahjen e referendumit të 30 shtatorit, mbajti tubimin e radhës në Çellopek të Komunës së Bërvenicës.

Në fjalimin e tij kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, vlerësoi se është jetike që të bëhemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Ai bëri thirrje që të jepet kontribut në integrimin e vendit dhe të shqiptarëve në sistemin e vlerave perëndimore, duke ftuar qytetarët që më 30 shtator të dalin të votojnë “PËR NATO dhe BE”.

BDI ka qëndruar në Komunën e Vrapçishtit ku banorëve të fshatrave të cilët gravitojnë në këtë komunë i është kërkuar që të votohet me 30 shtator “për Maqedoninë në NATO”.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se duhet mbledhur të gjitha forcat, opozitë dhe pozitë pasi ky është projekt i përbashkët për të hyrë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Besoj se më 30 shtator, ky referendum do të jetë i suksesshëm. Ka nga ata skeptik që thonë se nuk do të jetë i suksesshëm. Më 30 shtator ne themi të votojmë për marrëveshjen, që është dakorduar bashkë dhe dyert janë të hapura për të hyrë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Pasi të dal kjo marrëveshje në Gazetën Zyrtare fillon ratifikimi i kësaj marrëveshje në Parlamentin e Greqisë dhe fillon ratifikimi i kërkesës për anëtarësim të Maqedonisë për në NATO. Në qershor të vitit të ardhshëm fillojnë edhe bisedat për anëtarësim në Bashkimin Evropian” u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

LSDM-ja dje ka qëndruar në Krushevë, prej ku kryetari i kësaj partie Zoran Zaev, tha se më 30 shtator pritet vendim i guximshëm për të ardhmen e Maqedonisë.

Zaev theksoi se vendimi që ka marrë dhe marrëveshja që ka arritur me Greqinë janë me vlera për gjeneratat e ardhshme. Ai shtoi se qytetarët janë të detyruar që pasardhësve t’u sigurohen kushte për jetë më të mirë.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa pritet që sot të mbajnë takimet përfundimtare me qytetarët në kuadër të fushatës për referendumin e 30 shtatorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat