Veseli në Maqedoni: Integrimet ndodhin kur tejkalohen mosmarrëveshjet

Maqedonia

Veseli në Maqedoni: Integrimet ndodhin kur tejkalohen mosmarrëveshjet

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 14:16
Takimi Veseli-Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur sot në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Të dy iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masovikisht për t’i thënë ‘Po’ referendumit të së dielës.

Kadri Veseli deklaroi se Republika e Kosovës respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë dhe se do të respektojë  cilin do vendim lidhur me emrin.

Veseli tha se pas kalimit të referendumit në Maqedoni, Kosova do të vazhdojë me fazën finale të dialogut me Serbinë. Ai shtoi se do të jetohet pastaj në fqinjësi të mirë me integrime në Bashkimin Evropian.

Veseli: Kosova pranon vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë për emrin

“Republika e Kosovës respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë dhe cili do që të jetë vullneti i qytetarëve të Maqedonisë për emrin do ta respektojmë... Republika  e Kosovës ka gatishmërinë të futet në fazën finale të dialogut me Republikën e Serbisë në mënyrë që të tejkalojmë çdo marrëveshje dhe t’i hapim rrugë integrimit në Bashkimin Evropian. …Thërras qytetarët e Maqedonisë, ditën e diel, masovikisht t’i drejtohen vendimmarrjes që i hap perspektivë shtetit tuaj, mirëqenies së qytetarëve tuaj drejt BE-së dhe NATO-s, t’i thoni ‘Po’ referendumit” tha ai.

Tutje, Veseli tha se Kosova është e përkushtuar në prodhimin e politikave të fqinjësisë të mirë me Serbinë. Teksa shtoi se nuk do të lejohet që në marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë të ketë precedent negativ që të përdorët diku tjetër në të drejtën ndërkombëtare.

Veseli: Marrëveshja finale me Serbinë do të arrihet në mënyrë paqësore dhe jo me konflikt 

“Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nuk ushqen në asnjë formë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti fqinj. Ne duam në të njëjtën kohë të respektohemi si sovranitet dhe territorialitet institucional. Për Republikën e Kosovës në këtë fazë kur ne jemi në bisedime me Serbinë, është me rëndësi funksionaliteti i të gjitha institucioneve tona në gjithë Republikën. Ne kemi një situatë e cila është reale në pjesën veriore të Kosovës, ka progres dhe duam ta përfundojmë në mënyrën më pozitive dhe pa konflikt. Kjo është ajo çfarë do të ndodhë”, theksoi Veseli.

Ndërsa, kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se u pajtuan për dialog të vazhdueshëm, konstruktiv dhe miqësor. Sipas tij, konstatuan që komunikimi mes dy vendeve duhet të intensifikohet.

Xhaferi tha se e informoi homologun e tij për procesin e referendumit, i cili siç tha ai, po shkon konform procedurave dhe legjislacionit të tyre.

Xhaferi: Të dielën shqiptarët vendosin për të ardhmen e tyre

“Bëjmë ftesë publike që të dalin në referendum, sepse qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre, të familjeve dhe të shtetit. Qytetarët e kanë kuptuar nevojën dhe rëndësinë e 30 shtatorit si moment historik që njëherë jepet mundësia”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe tha se Maqedonia mbështet këtë dialog dhe marrëveshjet e arritura deri tani.

Xhaferi: Maqedonia përshëndet marrëveshjet e arritura Kosovë – Serbi

“Republika e Maqedonisë përshëndet marrëveshjet e arritura deri tani ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe përshëndet pranimin anasjelltas së marrëveshjes për parimet e normalizimit të marrëdhënieve nga ana e Prishtinës dhe Beogradit, prill 2013, me bindjen se kjo jo vetëm që hap kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy popujve por paraqet edhe impuls të fuqishëm për mbylljen e çështjeve të hapura në rajon, në kontekst të mbështetjes së përgjithshme përshëndesim edhe fillimin e negociatave të Kosovës me komisionin evropian për lidhje të marrëveshjes për stabilizim asociim”, tha ai.

Xhaferi tha se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka formuar grup parlamentar në bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, duke konsideruar e ky grup do të shërbejë për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat