Situata në Maqedoni, Majko: E vërteta që fshihet pas referendumit

Maqedonia

Situata në Maqedoni, Majko: E vërteta që fshihet pas referendumit

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 17:17
Pandeli Majko

Me referendumin e të dielës, në 30 shtator, Maqedonia është në udhëkryqin e vet më të rëndësishëm pas pavarësisë së saj nga ish Jugosllavia, por kjo sipas ministrit për Diasporën, Pandeli Majko është vetëm ajo që shikohet.

“E ‘padukshmja’ e referendumit e ka kthyer këtë shtet në shesh-betejën e dytë, pas Sirisë, të “Luftës së Ftohtë” të Perëndimit me Lindjen. Është një Perëndim tjetër më i zgjeruar, i cili ka përballë një Lindje më të vërtetë. Pyetja e referendumit është: Nëse jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”, shkruan Majko në rrjetin social “Facebook”.

Përballë kësaj pyetjeje, shkruan Majko, Maqedonia është e ndarë në paqartësitë e saj midis të djathtës nacionaliste dhe aleancës së të majtës maqedonase dhe me partitë shqiptare.

Sipas ministrit për Diasporën, nëse referendumi nuk fiton, Maqedoninë e pret kaosi dhe jo vetëm kaq. “Ky është vetëm fillimi për rajonin. Justifikimet se referendumi është “konsultativ” nuk do të vlejnë. Maqedonia do të kthehet në një shtet “epruvetë” ku Lindja do të shpallë fitoren më të hidhur ndaj Perëndimit”, shkruan ai.

Teksa barazpeshon dështimin e referendumit si të njëjtë me aktin e nacionalistit serb, Gavrilo Princip, i cili më 28 qershor 1914, vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Arkidukën Franc Ferdinand, dhe gruan e tij Sophie, Majko duket se është i vetëdijshëm se referendumi ka kundërshtarë në kutitë e votimit edhe votuesit shqiptarë të “ngopur” nga premtimet boshe pas Marrëveshjes së Ohrit.

Por sipas tij humbja e Referendumit do të konsiderohet sidomos edhe një humbje e shqiptarëve.

“Sot, shqiptarët kanë ndruar “vendet” në rajon. Ata përfaqësojnë statuskuonë. Shqiptarët kanë “firmosur” anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Paketën Ahtisarit në shtetin e Kosovës, Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni dhe pavarësinë e Malit të Zi. Të gjitha bashkë, përbëjnë një kontratë ndërkombëtare që elita shqiptare e post-Luftës së Ftohtë e pranoi si garante e paqes. Sot, shqiptarët janë protagonistët më të fortë rajonal për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Në Luftën midis Perëndimit dhe Lindjes në Maqedoni, shqiptarët janë të “dënuar” të mos kenë dilema. Humbja e referendumit në Maqedoni do të ishte për ta më e rëndë se sa fati i një qeverie në Shkup”, shprehet Majko, duke u bërë thirrje shqiptarëve të Maqedoninë që të dalin e të votojnë “Pro” referendumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat