Hahn: Mbështetje e gjerë për Marrëveshjen e Prespës

Maqedonia

Hahn: Mbështetje e gjerë për Marrëveshjen e Prespës

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 22:04
Komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn

Komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, është deklaruar për rezultatin e referendumit mbi emrin e Maqedonisë, duke vlerësuar se votat "për" janë të rëndësishme dhe se me këtë u jepet përkrahje Marrëveshjes nga Prespa.

"Ju uroj atyre të cilët votuan sot në referendumin konsultativ dhe i shfrytëzuan liritë e tyre demokratike. Me 'po' të rëndësishme, ka përkrahje të gjerë për Marrëveshjen e Prespës dhe ardhmërisë euroatlantike të vendit", shkruan ai në rrjetin Twiter.

Ai ka kërkuar nga liderët politikë që ta respektojnë këtë vendim, dhe ta zbatojnë me përgjegjësinë dhe unitetin më të madh nëpër linjat partiake në vend.

Ndryshe, sot në Maqedoni është mbajtur referendumi për emrin. Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni shtetëror zgjedhor (KSHZ) në faqen e vet, tregojnë se nga 30 për qind e vendvotimeve të numëruara deri më tash, "pro" kanë votuar 90.94 për qind e qytetarëve, ndërsa "kundër" janë shprehur 6.13 për qind. 

Qytetarët e Maqedonisë në referendumin e sotëm u prononcuan për pyetjen "Nëse jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin  e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë".

Kryeministri Zoran Zaev  tha se çështja do t’i kalojë Kuvendit dhe nëse me deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk arrihet në një konsensus për ndryshimet kushtetuese, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nga ana e tij, kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski deklaroi se është fakt se marrëveshja me Greqinë nuk mori dritën jeshile dhe se populli e ndaloi marrëveshjen e turpshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat