Ministri Dimitrov i kërkon ndjesë gazetares Hopkins

Maqedonia

Ministri Dimitrov i kërkon ndjesë gazetares Hopkins

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 14:04
Nikolla Dimitrov

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i kërkoi ndjesë gazetares Valerie Hopkins, ndaj së cilës u përdor gjuhë e urrejtjes.

Gazetari i agjencisë shtetërore të lajmeve MIA në Maqedoni, Cvetin Çilimanov, me një postim në Twitter, i porositi taksistët që e ndjekin atë se "është koha" për "xhaxhain Kumplung'" ndaj gazetares Hopkins, duke aluduar në një skenë të filmit maqedonas "Vetëshkatërrimi", në të cilën xhaxhai Kumplung është takisist dhe përdhunon një grua në taksinë e tij.

Hopkins, korrespondente e gazetës britanike, Financial Times, ka mbuluar zhvillimet rreth referendumit në Maqedoni.

Ministri Dimitrov i bëri thirrje gazetares që të pranojë kërkimfaljen e tij, në emër të të gjithë shtetit.

Me një postim në Twitter, ai tha se gjuha e urrejtjes nuk është ajo që e mbështet Maqedonia.

Rasti u dënua fuqishëm edhe nga përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Dezir.

“Cicërimet kërcënuese të Cvetin Çilimanovit ndaj Velery Hopkins janë të turpshme dhe të papranueshme. Të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve, posaçërisht thirrjet për dhunë ndaj grave gazetare, janë të papërgjegjshme. Çilimanov duhet menjëherë ta heqë postimin në Twitter”, tha Dezir.

Agjencia MIA tha se distancohet nga gazetari Çilimanov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat