Maqedoni, Zaevi i jep ultimatum opozitës

Maqedonia

Maqedoni, Zaevi i jep ultimatum opozitës

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 14:41
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, po rrezikon gjithçka në betejën për marrëveshjen me Greqinë, duke i thënë opozitës se po nuk e mbështetën ndryshimin e emrit në kushtetutë, do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

“Procesi nuk mund të bllokohet. Duhet të ecim përpara”, tha udhëheqësi social demokrat këtë të hënë. “Do ta dimë në pak ditë nëse mund të lidhim marrëveshje me opozitën, për të përshtatur ndryshimet kushtetuese. Zgjedhja tjetër janë zgjedhjet.”

Votuesit që morën pjesë në referendumin e të dielës mbështetën fuqimisht ndryshimin e emrit në “Maqedoni e Veriut”, por pjesëmarrja ishte tepër e ulët, pasi opozita bëri thirrje të mos votohet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja ishte 36.8%, shumë më pak se 50% që nevojitej për ta bërë rezultatin të vlefshëm, edhe pse 91.4% e votave mbështetnin marrëveshjen.

Rezultati i lartë e nxiti Zaevin që të japë ultimatumin, ndërkohë që përpiqet të mbledhë mbështetje për marrëveshjen me Greqinë, që si shpërblim ka BE-në dhe NATO-n.

Image

Opozita nacionaliste, për të cilën thuhet se ka mbështetje financiare nga Rusia, kishte bërë fushatë të fuqishme për bojkot të referendumit, duke thënë se marrëveshja ishte vetëm në favor të Athinës. Që pas shkëputjes nga Jugosllavia, në vitin 1991, Greqia ka këmbëngulur se emri i fqinjit të ri u vjedh historinë, si dhe përfshin pretendime territoriale për provincën e tyre veriore me të njëjtin emër, Maqedoninë.

Marko Trosanovski, nga grupi i ekspertëve “Instituti për Demokraci”, tha se askush nuk e priste një pjesëmarrje kaq të ulët. “Suksesi i bojkotit ishte befasues. Edhe pse nuk ka prova të prekshme të ndërhyrjes ruse, rezultati u shkon për shtat interesave të Rusisë në rajon.”

Moska e ka kundërshtuar prej kohësh afrimin e Maqedonisë me perëndimin, duke e parë anëtarësimin në NATO si shkelje të territorit të vet në ish shtetin  komunist të Europës lindore. Serkretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, vizitoi Shkupin para referendumit dhe tha se Rusia ka kryer ndërhyrje dashakeqe kibernetike, me qëllimin për të zhvlerësuar rezultatin.

Pavarësisht mohimeve, shumica e fushatës dezinformuese mendohet se është drejtuar nga brenda dritareve me kangjella hekuri, në ndërtesën dy-katëshe të ambasadës ruse, në qendër të Shkupit.

Kremlini tha të hënën, me një deklaratë të shkurtër, se i kanë ndjekur me kujdes ngjarjet në Maqedoni. “Po i ndjekim ngjarjet me shumë vëmendje dhe sigurisht që mendojmë se proceset duhet të qëndrojnë brenda kuadrit ligjor”, tha zëdhënësi rus, Dimitri Peskov.

Kundërshtarët e marrëveshjes thonë se mungesa e pjesëmarrjes i ka hequr qeverisë së Zaevit të drejtën për të ndryshuar emrin e vendit në kushtetutë. Sipas ligjit, koalicionit dypartiak i duhen dy të tretat e 120 votave në parlament, pa të miratohet marrëveshja. Pas referendumit, Departamenti Amerikan i Shtetit, duke i bërë jehonë deklaratave të NATO-s dhe BE-së, u bëri thirrje deputetëve maqedonas që të ngrihen përtej interesave partiake.

Branko Gerovski, një analist politik, thotë: “Çështja më e rëndësishme tani është se si do ta gjejë Zaevi numrin magjik, 80 votat. Janë disa deputetë të opozitës që mund të kenë motivimin e duhur për ta mbështetur marrëveshjen. Në Ballkan, ‘pazaret’ politike kanë ndihmuar gjithnjë në favor të stabilitetit, dhe në Maqedoni e njohim mirë destabilizimin. Është jetike që të anëtarësohemi në NATO, për sigurinë e vendit”.

Sondazhet tregojnë se maqedonasit e mbështesin fort anëtarësimin në NATO dhe BE. “Është një nga çështjet e pakta që ka mirëkuptim të gjerë në të gjithë vendin”, thotë Trosanovski.

Mbështetja për anëtarësimin në NATO është e fortë sidomos mes shqiptarëve në Maqedoni, njësoj si në Kosovë e në Shqipëri. “Jemi të befasuar, të shqetësuar e të zhgënjyer që pjesëmarrja e ulët është parë edhe nga shqiptarët e Maqedonisë”, tha Berat Buzhala, kryeredaktor i Gazeta Ekspres, Kosovë. “Është shumë e rëndësishme që fqinji ynë të bashkohet me NATO-n. Nëse dështon, vetëm sa ndihmohet Putini e krijohen trazira në oborr të Europës”.

Partia më e madhe e opozitës, VMRO, këmbëngul se rezultati ishte një refuzim i pastër i marrëveshjes me Greqinë. “Njerëzit i dhanë Zaevit mesazhin e qartë se nuk e ka legjitimitetin për ta vazhduar këtë marrëveshje”, deklaruan ata. “Në vend që të bëhen manipulime, duhet të përballen me realitetin dhe ta ndërpresin marrëveshjen, e cila bëhet në kurriz të Republikës së Maqedonisë”.

Por burime të brendshme thonë se të paktën tre ose katër deputetë të VMRO-s, të cilët merren me biznes, mund ta mbështesin marrëveshjen. “Pavarësisht mospëlqimit personal ndaj emrit, ka disa që e kuptojnë se partia do të margjinalizohet plotësisht nëse lihet jashtë procesit,” thotë Gerovski. “Biznesmenët duan ta shohin vendin të bashkuar me BE-në, sepse e dinë që do të sjellë zhvillim.”

Me shqiptarët tashmë në koalicion, Zaevi do të përpiqet të bindë edhe pakicat etnike, turqit, romët, serbët e boshnjakët.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras, i cili po ashtu ka telashe me nacionalistët e vet, e madje edhe me partinë që kryesohet nga ministri i tij i mbrojtjes, Panos Kamenos, vitin tjetër do të përballet me zgjedhjet e përgjithshme.

“Në të dy anët është krijuar ndjesia se koha është armiku numër një”, thotë Gerovski. “Nëse lihet për në minutën e fundit, kur të shpallen zgjedhjet, kriza politike ka për t’u thelluar më shumë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat