Ndryshimet kushtetuese: Ahmeti takim me Zaevin e Mickovskin - Bota Sot
Ndryshimet kushtetuese: Ahmeti takim me Zaevin e Mickovskin

Maqedonia

Ndryshimet kushtetuese: Ahmeti takim me Zaevin e Mickovskin

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 17:39
Zoran Zaev

Partitë parlamentare kanë filluar takimet me qëllim gjetjen e kompromisit për ndryshimet kushtetuese. Në emisionin “Rruga drejtë…”, deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi konfirmoi takimin e kreut të partisë së tij, Ali Ahmeti me liderin e opozitës Hristijan Mickoski.

“Kryetari Ahmeti ka zhvilluar takime edhe me Zoran Zaevin edhe me Hristijan Mickoskin. Këto takime janë pas referendumit dhe në këtë moment mund të them kaq. Ne pretendojmë dhe insistojmë se nuk janë shterur zgjidhjet, shpresojmë që në mesin e OBRM-PDUKM-së ka figura të përgjegjshme dhe vizionare”, theksoi Xhevat Ademi – deputet i BDI-së.

Nënkryetari i LSDM-së, Petre Shilegov konfirmon se takimet kanë nisur fillimisht me deputetët për të parë gatishmërinë e tyre, ndërsa më pas, në rast është e nevojshme do të rriten instancat.

“Për momentin janë duke u zhvilluar bisedime me deputetët në Kuvend me qëllim që të kuptohet nëse ka gatishmëri ose jo. Kjo bëhet me qëllim që të mundohemi të krijojmë logjikë të shëndoshë politike në vetë subjektet parlamentare të cilat janë përgjegjëse që këto procese për vendin tonë të marrin drejtimin e duhur”, u shpreh Petre Shilegov, nënkryetar i LSDM-së.

Ndryshe, ditë më parë LSDM-ja ka angazhuar koordinatorin e grupit parlamentar, Tomisllav Tuntev që të nisë negociatat me deputetët opozitar me qëllim mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Tuntev konfirmoi për televizionin Alsat se tashmë me 3 deputet opozitarë ka caktuar takime jo formale duke mos dhënë më tepër detaje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera